Misioni i OSBE-së organizon konferencën përmbyllëse të Grupeve të Grave Asambleiste me thirrjen për më shumë përparim në arritjen e barazisë gjinore dhe qeverisjes lokale gjithëpërfshirëse

Prishtinë, 23 korrik 2025
Misioni i OSBE-së mblodhi sot Grupet e Grave Asambleiste (GGA) nga mbarë Kosova në një konferencë përmbyllëse për të diskutuar rreth arritjeve të tyre në promovimin e barazisë gjinore dhe qeverisjes lokale gjithëpërfshirëse me rastin e përfundimit të mandatit të tyre.
GGA-të, të përbëra nga anëtare të kuvendeve komunale, gra politikane dhe nëpunëse publike, angazhohen për një qeverisje lokale që është gjithëpërfshirëse dhe ku perspektiva gjinore është e integruar në të gjitha aspektet e vendimmarrjes.
Gjatë konferencës pjesëmarrëset përgatitën udhëzime zyrtare për dorëzim të detyrës, me qëllim ruajtjen e vazhdimësisë, njohjen e arritjeve kryesore të GGA-ve dhe krijimin e një platforme strategjike për bartje efektive të njohurive, përvojës dhe instrumenteve të zhvilluara ndër vite tek GGA-të e ardhshme.
Theksi u vu në rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak dhe forcimin e rrjetit të GGA-ve ekzistuese dhe atyre që pritet të formohen, me thirrje për riformimin e tyre të shpejtë pas zgjedhjeve lokale, sidomos në komunat ku përbërja aktuale mund të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Gerard McGurk, theksoi rëndësinë e punës së përbashkët të grupeve si mënyrë për sigurim të vazhdimësisë dhe rritjes së ndikimit të GGA-ve përtej mandateve politike.
“Është e nevojshme që gratë t’i bashkojnë forcat në ‘koalicione’ më të fuqishme për t’i ndihmuar njëra-tjetrës që t’i shembin tavanet e qelqta. Garat politike nuk zhvillohen gjithherë ndërmjet partive, përkundrazi betejat më të mëdha mund të ndodhin brenda vetë partive. Prandaj është tejet e rëndësishme që ta mbështesni njëra-tjetrën në arritjen e synimeve që dalin jashtë suazave partiake. Të mos lihet asnjë grua pas!” - u shpreh ambasadori McGurk.
Kjo konferencë është rezultat i më se një dekade bashkëpunimi dhe zhvillimi kapacitetesh nga OSBE-ja për Grupet e Grave Asambleiste. Që nga viti 2013, Misioni i OSBE-së ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e themelimit dhe zhvillimit afatgjatë të GGA-ve në komunat anembanë vendit. Përmes programit të përvitshëm “EmPOWER”, Misioni i OSBE-së ka trajnuar dhe zhvilluar aftësitë profesionale të qindra grave udhëheqëse në nivel komunal.
Ky përparimin pasqyrohet në rritjen e përfaqësimit të grave në qeverisje dhe udhëheqësi institucionale, ku shtatë politikane lokale nga Programi “EmPOWER” janë përfshirë në listat zgjedhore të partive për zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit 2025, nga të cilat njëra ka fituar mjaftueshëm vota për t’u bërë pjesë e Kuvendit.
Ndër arritjet e GGA-ve vlen të përmenden formimi i qendrave të kujdesit për fëmijë për t’i mbështetur nënat e punësuara, avokimi për shërbime shëndetësore për gratë, ndikimi për punësim gjithëpërfshirës në polici dhe promovimi i sipërmarrësisë në mesin e grave. Përpjekjet e tyre jo vetëm që kanë adresuar nevoja urgjente të komunitetit, por kanë vënë themelet për institucionalizimin e barazisë gjinore në nivel komunal.
“Bashkëpunimi ndërpartiak është shumë i rëndësishëm, sepse vetëm bashkë gratë arrijnë me dërgu përpara iniciativa për një mirëqenie sa më të mirë për gratë”, tha Egzona Hoxhaj anëtare e GGA-së dhe pjesëmarrëse në EmPOWER. “Gratë janë të forta, por kur janë bashkë përkundër bindjeve politike, janë të pamposhtura.”