Misioni i OSBE-së i dorëzon automjete të specializuara Policisë së Kosovës për të përmirësuar rendin dhe sigurinë publike
Më 24 qershor 2025, Misioni i OSBE-së në Kosovë i dorëzoi pesë automjete të specializuara njësisë K9 të Policisë së Kosovës për të rritur aftësitë operacionale të ekipeve policore të qenve.
Automjetet, të modifikuara posaçërisht për të mbështetur transportin e sigurt dhe efikas të qenve të policisë dhe operatorëve të tyre gjatë misioneve kritike, do të përmirësojnë lëvizshmërinë dhe reagimin e ekipeve K9 që dërgohen në operacione të ndryshme sigurie.
Përveç kësaj, Misioni ka mbikëqyrur riparimet esenciale të shtëpizave ekzistuese që përdoren nga Njësia K9. Këto përmirësime përfshijnë sisteme të përmirësuara të ventilimit, përforcime strukturore dhe ambiente më të mira sanitare për të siguruar mirëqenien dhe gatishmërinë e qenve të policisë. Riparimet e shtëpizave të qenve janë pjesë jetike e mirëmbajtjes së standardeve të larta të kujdesit dhe të siguruarit që zyrtarët operues të qenve të jenë në gjendje optimale për të kryer detyrat e tyre të specializuara.
“Rendi dhe siguria e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë mbetet prioriteti ynë kyç”, tha Ambasadori Gerard McGurk, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit. “Dorëzimi i automjeteve të specializuara dhe rinovimi i shtëpizave të qenve përbëjnë hapa të prekshëm drejt përforcimit të rendit publik dhe ndërtimit të besimit midis gjitha komuniteteve në Kosovë”, shtoi ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, tha se bashkëpunimi afatgjatë me OSBE-në ka qenë kritik për avancimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës. Ai nënvizoi se partneriteti është vital për përmirësimin e kapacitetit të policisë për të zbuluar e konfiskuar armë dhe eksplozivë të paligjshëm, duke kontribuar përfundimisht në një Kosovë më të sigurt.
Iniciativa është pjesë e një projekti jashtë-buxhetor të financuar nga Qeveria e Gjermanisë dhe Bashkimi Evropian, i përqendruar në forcimin e kapacitetit të shërbimeve të njësisë K9 të Policisë së Kosovës për të identifikuar e konfiskuar armë të vogla dhe të lehta (AVL), municione dhe eksplozivë — prioritete kyçe për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Si pjesë e të njëjtit projekt, Misioni ndërtoi një poligon stërvitjeje për njësinë K9 në vitin 2023.
Përmes kësaj mbështetjeje, Misioni i OSBE-së në Kosovë po kontribuon në zhvillimin dhe modernizimin afatgjatë të njësisë policore K9. Këto përmirësime jo vetëm që rrisin efikasitetin operacional, por demonstrojnë edhe një përkushtim të përbashkët ndaj sigurisë, profesionalizmit dhe mirëqenies së qenve të policisë. Kapaciteti i përforcuar i njësisë K9 do të luajë rol vendimtar në luftimin e trafikimit të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve, duke nxitur kështu mjedis më të sigurt për të gjithë njerëzit e Kosovës.