Komiteti Drejtues i Projektit Rajonal për Monitorim të Gjykimeve tregon angazhim të përbashkët ndaj reformës së drejtësisë në Kosovë
Prishtinë, 20 qershor 2025 - Misioni i OSBE-së në Kosovë ishte nikoqir i takimit të Komitetit Drejtues të Projektit Rajonal për Monitorimin e Gjykimeve në Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor në Prishtinë, më 19 qershor 2025.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të lartë të gjyqësorit, përfshirë Ministren e Drejtësisë në detyrë Albulena Haxhiu, Kryetarin e Gjykatës Supreme Fejzullah Rexhepi, ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit Besim Kelmendi, Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës Ardian Hajdaraj, dhe zyrtarë nga Zyra e BE-së në Kosovë. Ky takim i parë shënon një hap shumë të rëndësishëm drejt nxitjes së bashkëpunimit dhe transparencës në përpjekjet për reformën në drejtësi në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e institucioneve gjyqësore diskutuan nisma të reja, ndanë rezultatet preliminare për periudhën nga qershori 2024 dhe hartuan plane për veprime të ardhshme. Anëtarët e Komitetit shqyrtuan gjetjet kryesore të projektit, identifikuan fushat prioritare të reformës dhe dhanë informata fillestare rreth indikatorëve të propozuar për të përcjellur përparimin në trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
“Përkundër sfidave institucionale dhe mungesës së resurseve, përkushtimi i institucioneve vendore, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, është kyç për rezultate të qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Drejtësia nuk mund të ndërtohet vetëm, por përmes përpjekjeve të përbashkëta të koordinuara në nivel vendor e rajonal”, tha Ministrja e Drejtësisë në detyrë Albulena Haxhiu.
Diskutimet nënvizuan rëndësinë e një zëri të unifikuar në mesin akterëve të drejtësisë, duke nxitur dialogun konstruktiv mbi zgjidhje praktike dhe të qëndrueshme për sfidat me të cilat përballet gjyqësori. Komiteti konstatoi se ekziston një konsensus i palëkundur për të çuar përpara reforma të koordinuara dhe të bazuara në prova, të ndërtuara mbi bashkëpunimin dhe përgjegjësinë e ndërsjellë.
“Gjatë vitit të kaluar, institucionet gjyqësore dhe prokuroriale të Kosovës kanë treguar përkushtim të qartë për reforma përmes miratimit të strategjive largpamëse, rregulloreve të brendshme dhe trajnimeve specifike për zhvillim të kapaciteteve”, tha Kahramon Sanginov, Udhëheqës i Ekipit të Projektit pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Arritja e një rezultati kredibil dhe avancimi i prioriteteve strategjike të Kosovës kërkojnë zbatim të fuqishëm të reformave të qëndrueshme në sektorin e drejtësisë, të përforcuara nga një udhëheqësi këmbëngulëse gjyqësore dhe prokuroriale”, shtoi ai.
I themeluar me qëllim të validimit dhe konsultimit të rekomandimeve për reforma që rrjedhin nga Raporti rajonal i monitorimit të gjykimeve të OSBE-së i publikuar në qershor 2024, Komiteti Drejtues synon ta plotësojë hendekun mes monitorimit dhe zbatimit. Ai shërben si një platformë strategjike për bashkëpunim, duke i përafruar iniciativat e reformës gjyqësore me prioritetet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare, dhe duke siguruar angazhimin gjithëpërfshirës të të gjitha palëve kryesore të interesuara. I bashkëkryesuar nga OSBE-ja dhe Zyra e BE-së, Komiteti Drejtues përbëhet nga përfaqësues nga secili prej institucioneve kryesore. Komiteti drejtues do të mblidhet çdo vit për të validuar rezultatet analitike të projektit dhe për të promovuar një koordinim dhe transparencë më të madhe brenda sektorit të drejtësisë.
I nisur në vitin 2021 dhe i zbatuar nga Misionet e OSBE-së në Tiranë, Podgoricë, Shkup, Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë, ky projekt i financuar nga BE-ja synon të forcojë sundimin e ligjit në Kosovë duke mbështetur përpunimin efektiv të rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të dhëna të verifikueshme në lidhje me administrimin e drejtësisë në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin merren, përpunohen dhe analizohen për t’i definuar problemet sistemike dhe për të adresuar rekomandime.