Misioni i OSBE-së mbështet Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në funksionalizimin e Komisionit për Sigurim të Cilësisë
Si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të mbështetur Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbështetur vizitën e dytë në Akademinë e Drejtësisë së Karolinës Veriore (ADKV) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Duke u bazuar në trajnimin e mëparshëm të organizuar nga ADKV për zyrtarët e lartë të AKSP-së, Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor dhe Shërbimit Korrektues, me mbështetjen e Misionit, dhe në bazë të Protokollit të Bashkëpunimit të miratuar ndërmjet ADKV-së dhe AKSP-së në vitin 2024, kjo vizitë shënon përfundimin e suksesshëm të funksionalizimit të plotë të Komisionit për Sigurim të Cilësisë në kuadër të AKSP-së.
Grupi i dytë i koordinatorëve për sigurimin e cilësisë në fushën e sigurisë publike që përfaqësonin AKSP-në, si dhe institucionet kyçe si Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Doganat dhe Shërbimin Sprovues të Kosovës, shqyrtoi praktikat e mira për adresimin e rekomandimeve të Autoritetit të Kualifikimeve të Kosovës dhe Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve për Standarde dhe Trajnime për Zbatimin e Ligjit (IADLEST) me seli në SHBA, e cila ka akredituar si N ADKV-në ashtu edhe AKSP-në në nivel ndërkombëtar.
Gjatë kohës së tyre në ADKV, koordinatorët u njohën me mekanizmat e brendshëm të sigurimit të cilësisë të ADKV-s për akademitë e trajnimit të zbatuesve të ligjit. Ata shqyrtuan proceset e zhvillimit të kurrikulës së akademisë, standardet e trajnimit të instruktorëve dhe kornizat e përgjithshme të cilësisë, të gjitha të përafruara ngushtë me kriteret e IADLEST dhe të zbatuara gjerësisht në të gjitha akademitë trajnuese të zbatuesve të ligjit në SHBA.
Vizita e delegacionit u prit ngrohtësisht nga përfaqësues të nivelit të lartë të Karolinës Veriore, përfshirë prokurorin e përgjithshëm Jeff Jackson dhe përfaqësues nga Byroja Shtetërore e Hetimeve e Karolinës Veriore, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë publike dhe trajnimin e zbatuesve të ligjit.
Për Maria De Benito, Ushtruese e Detyrës e Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë, ofrimi i trajnimeve të cilësisë së lartë për personelin e institucioneve të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë është më i rëndësishëm se kurrë.
“Sfidat moderne, si terrorizmi, krimi kibernetik, dhe krimi transnacional, kërkojnë më shumë sesa thjesht aftësi teknike. Ato kërkojnë gjykim të shëndoshë, udhëheqësi etike dhe ekspertizë të mirë ndërkombëtare për të reaguar në mënyrë efektive. Për të përmbushur këto kërkesa, jo vetëm që duhet të rrisim standardet tona të trajnimit, por edhe të promovojmë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave të mira me akademitë e akredituara”, tha Ushtruesja e Detyrës.
"Vetëm profesionistët më të përgatitur të sigurisë publike mund t'i mbrojnë vërtetë komunitetet".
Kjo vizitë shënon kulmin e përpjekjeve për themelimin e plotë të Komisionit për Sigurim të Cilësisë në kuadër të AKSP-së, duke trajnuar gjashtë koordinatorët për sigurimin e cilësisë së sigurisë publike sipas standardeve ndërkombëtare. Të pajisur me njohuritë dhe aftësitë e fituara nga përvoja në ADKV, detyra e koordinatorëve tani është që të zhvillojnë dhe mirëmbajnë procedurat e brendshme për të vlerësuar dhe përmirësuar efektivitetin, efikasitetin dhe rëndësinë e shërbimeve të trajnimit mbi sigurinë publike, duke siguruar përputhshmëri me standardet ndërkombëtare të akreditimit dhe standardet e sigurimit të cilësisë.