OSBE fillon Edicionin e 7-të të Programit “Media Fellowship” që kultivon bashkëpunim dhe fuqizon gazetarët e rinj
Më 7 maj, Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Serbi, filloi edicionin e shtatë të Programit për gazetarë të rinj, duke i bërë bashkë tetë gazetarë nga shtëpitë mediale të Kosovës në gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe. Kjo nismë është planifikuar për të fuqizuar bashkëpunimin mes mediave, për të përsosur shkathtësitë e gazetarisë hulumtuese dhe për t’i adresuar sfidat ndaj lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve.
Duke qenë pjesë e programit, gazetarët do të fillojnë vizitën e tyre studimore në Prishtinë nga 9 deri më 10 qershor. Gazetarët do të angazhohen me institucionet kryesore që formësojnë peizazhin medial të Kosovës, duke përfshirë shtëpitë mediale në gjuhën shqipe dhe ato në gjuhën serbe, organet rregulluese të mediave, asociacionet e mediave, dhe organizatat hulumtuese. Diskutimet do të përqendrohen në rregullimin medial, qëndrueshmërinë, sigurinë e gazetarëve, transmetuesin publik, vetë-rregullimin, dhe etikën e gazetarisë. Këto shkëmbime do t'ju sigurojnë gazetarëve informacione domethënëse sa i takon funksionimit të institucioneve të mediave dhe mjedisit më të gjerë medial.
Faza e dytë e Programit do të mbahet në Beograd nga data 12 deri më 14 qershor. Gazetarët do të takohen me organizata mediale prijëse, asociacione të gazetarëve dhe shtëpi mediale hulumtuese. Temat që do mbulohen janë liria e mediave, siguria e gazetarëve, dhe sfidat e raportimit të temave të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Programi për gazetarët e rinj e reflekton përkushtimin tonë ndaj fuqizimit të gazetarëve të rinj nga Kosova dhe forcimit të bashkëpunimit mes mediave të rajonit,” tha ambasadori Gerard McGurk, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Duke i bërë bashkë gazetarët nga komunitetet e ndryshme, ne kultivojmë kulturë dialogu, zhvillim profesional dhe përgjegjësi të përbashkët për liri dhe integritet të mediave.”
Nisur në vitin 2017, Programi për gazetarë të rinj është pjesë e përkushtimit afatgjatë të Misionit të OSBE-së në Kosovë për të mbështetur zhvillimin e mediave, promovuar barazinë gjinore në gazetari dhe kultivuar dialogun ndërmjet komuniteteve. Deri më sot, Programi ka mbështetur 48 gazetarë me përgatitje e formime të ndryshme, duke i përforcuar kapacitetet profesionale të mediave lokale dhe kultivuar bashkëpunim afatgjatë rajonal.
Përfituesit e Programit për vitin 2025:
Albijona Hoxhaj, gazetare, Betimi për Drejtësi
Aleksandra Jovanović, gazetare, Radio Kosovska Mitrovica
Ardona Popova, gazetare, Koha Group
Bojan Miladinović, gazetar, TV Most
Endrita Bajrami, gazetare, Klan Kosova
Florinda Kelmendi, gazetare, BIRN Kosovo
Milica Srejić, gazetare, Alterantivna
Veronë Zymberi, gazetare, Kallxo.com