Mësime të nxjerra lidhur me praktikat e ndërtimit të paqes në Irlandën e Veriut
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar një vizitë studimore në Belfast për 12 të diplomuara të Akademisë së Dialogut të OSBE-së për Gratë e Reja me synim të ngritjes së shkathtësive dhe potencialit të tyre për të kontribuar në përpjekjet e ndërtimit të paqes dhe besimit.
Që nga viti 2012, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së në Serbi lehtësoi një sërë takimesh me pjesëmarrje të grave të shquara nga Prishtina dhe Beogradi me qëllim të shkëmbimit të ideve dhe praktikave më të mira mbi fuqizimin e grave në të dyja shoqëritë, që njihet si Iniciativa “Na ndiqni (Follow Us)”. Si rezultat i punës së tyre, më 2015 u themelua Akademia e Dialogut për Gratë e Reja nga Prishtina dhe Beogradi.
Programi i Akademisë së Dialogut përfshin të mësuarit interaktiv përmes punës në grupe, lojës me role, zhvillimit të ideve të përbashkëta të projektit dhe diskutimeve me të ftuar dhe praktikues në politikë për një gamë të gjerë temash, duke përfshirë dialogun, ndërmjetësimin dhe negocimin, rolin e grave në paqe dhe siguri, dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Pas përfundimit të Akademisë së Dialogut, pjesëmarrëset bëhen pjesë e Rrjetit të të Diplomuarave të Dialogut, rrjet që tani numëron mbi 180 anëtarë. Ky rrjet është platformë e shkëlqyer për të rejat nga të dyja shoqëritë për të vazhduar me promovimin dhe avancimin e dialogut dhe ndërtimin e paqes.
Për të plotësuar teorinë me praktikën dhe për të mësuar rreth zgjidhjes së konflikteve përmes shembujve të jetës reale, për një numër të përzgjedhur pjesëmarrësesh të Akademisë së Dialogut Misioni organizoi një vizitë në Belfast për një trajnim intensiv mbi ndërmjetësimin, zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes. Gjatë këtij udhëtimi studimor, pjesëmarrëset u takuan me figura të shquara që ishin dhe ende janë të përfshira drejtpërdrejt në ndërtimin e paqes dhe nxitjen e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në Irlandën e Veriut.