Fjalën e ka gjenerata e re e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Kosovë!
Kur stafi i OSBE-së ishte mbledhur më 2019 për të gjetur mënyra që ta kalonte ekspertizën e vet tek të rinjtë në Kosovë, ata nuk e kishin menduar suksesin që kjo ide do të sillte. Dy vjet më vonë, Akademia Rinore po zgjerohet, përkundër disa sfidave përgjatë rrugës.
Nisma kishte filluar me Giovanni Corbo, Hana Dogović, Josip Ivanović, si dhe Šehida Miftari, që punonin në Seksionet për Pronë, Trashëgimi Kulturore dhe Dialog Ndërfetar; Komunitete; dhe Ligj e Drejtësi të Misionit të OSBE-së në Kosovë. Idetë e tyre shpejt morën formë, dhe në shtator të vitit 2019, ata organizuan Akademinë e parë Rinore: ku të rinjtë do të mësonin për të drejtat e njeriut nga këndvështrime të ndryshme dhe do të diskutonin çështje që i preokupon ata.
Edhe pse “ekipi rinor” i Misionit të OSBE-së kishte filluar këtë aktivitet me entuziazëm të madh, reagimi ndaj saj kishte tejkaluar pritjet e tyre, dhe 80 të reja e të rinj nga e gjithë Kosova kishin marrë pjesë në ediionin e parë.
“U befasuam pozitivisht, sepse atëbotë as nuk e kishim reklamuar thirrjen, thjesht e kishim përhapur fjalën përmes kolegëve tanë në terren”, kujton Šehida Miftari, nga Seksioni për Ligj e Drejtësi.
Përtej ekspertizës brenda Misionit
Për t’iu përgjigjur interesimit, ekipi zgjeroi kurrikulën dhe ftoi ekspertë ndërkombëtarë, aktivistë të rinisë, përfaqësues të organizatave për të drejta të njeriut, shoqërisë civile, strukturave politike dhe gjyqësorit, si dhe ekspertë tjerë të Kosovës, duke ofruar kështu këndvështrime të larmishme mbi temën.
“Kishim planifikuar çdo detaj,” vazhdon Miftari. “Organizuam seanca plenare, duke u fokusuar në çështje të interesit të përbashkët, si barazia gjinore dhe pjesëmarrja e të rinjve në vendim-marrje, por edhe punëtori e trajnime të bëra enkas për rastet e të drejtave të njeriut për studentë të juridikut, dizajnuar nga Seksioni për Ligj e Drejtësi. Pati edhe seanca trajnimi për ekstremizmin e dhunshëm që çon në terrorizëm, aktivizmin rinor, e çështjet gjinore, që i organizuan kolegët nga seksionet tjera."
Derisa fokusi i Akademisë ishte mësimi, organizatorët lanë hapësirë edhe për aktivitete më të relaksuara.
“Ne patëm diskutime absolutisht të gjalla e frymëzuese me studiues nga universitete prestigjioze, por edhe aktivitete argëtimi, që përfshinin vizita në vende kulturore, lojë me birila, si dhe koncerte me muzikë të gjallë, që janë thelbësore për thyerjen e barrierave dhe krijimin e rrjeteve të qëndrueshme midis të rinjve nga komunitete të ndryshme”, shtojnë Josip Ivanović dhe Sabrina Salis, Shefe e Seksionit për Pronë, Trashëgimi Kulturore e Dialog Ndërfetar.
Kalimi në formatin virtual
Të gjitha këto ishin para pandemisë me COVID-19. Kur u regjistruan rastet e para të infektimeve me koronavirus në Kosovë në mars të vitit 2020, ekipi ishte në vlug të përgatitjeve për Akademinë e dytë të të Rinjve.
“U përballëm me shumë paqartësi, e në fund, na u desh të zhvendosnim të gjitha në formatin virtual. Sigurisht që ishte sfidë e madhe. Një pjesë e madhe e gjithë aktivitetit është mu ai ndërveprimi i drejtpërdrejtë midis folësve e pjesëmarrësve, si dhe midis të rinjve nga etni, fe e profesione të ndryshme. Por, pasi pamë ndikimin e edicionit të parë, anulimi nuk ishte opsion, kështu që e bëmë të funksiononte,” shpjegon Miftari.
Përkundër brengave, formati virtual nuk e tkurri interesimin e të rinjve për pjesëmarrje. Edicioni i dytë, mbajtur krejtësisht në mënyrë virtuale, pati mbi 50 pjesëmarrës të zgjedhur në bazë të një thirrjeje të hapur publike. Përveç kësaj, pjesë e saj u bë një listë impresive e trajnerëve e folësve nga Universiteti i Vjenës, bashkë me ekspertët vendorë, duke përfshirë edhe Avokatin e Popullit dhe aktivistë nga shoqëria civile.
Miloš Vučinić, student 24 vjeçar i nivelit Master në Gjuhë dhe Letërsi Angleze nga Mitrovica e Veriut ishte një nga pjesëmarrësit. Ai thotë që edhe pse ishte dëshpëruese që Akademia do të mbahej virtualisht, kjo nuk e kishte penguar që ta pëlqente e të ishte pjesëmarrës aktiv.
“Akademia ishte mundësi unike për të dëgjuar folës interesantë nga universitete të ndryshme evropiane, si dhe për të mësuar për të drejtat e njeriut nga ta. Kjo gjë e ka sjellë më afër temën e të drejtave të njeriut për mua, si dhe më ka ndihmuar të zgjeroj njohuritë e mia për mbrojtjen e tyre”, thotë ai.
Vetëdijesimi për të drejtat e njeriut
Derisa po ndiqte Akademinë, Vučinić veç se kishte filluar të shpërndante njohuritë që po merrte. Si vullnetar në OJQ-në e Mitrovicës së Veriut “Podrži Me” [Më Mbështet], e cila punon me fëmijë me aftësi të kufizuara, Vučinić pa që prindërit nuk kishin informacion të mjaftueshëm mbi atë se kujt t’i drejtoheshin nëse cenohen të drejtat e fëmijëve të tyre.
Me mbështetjen e OSBE-së, Vučinić ra në kontakt edhe me OJQ-në Handikos, që punon me persona me aftësi të kufizuara në Mitrovicën e Jugut, dhe bëri bashkë prindërit shqiptarë e serbë që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.
“Të gjithë prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë probleme të njëjta. Përveç që sollëm Avokatin e Popullit për të folur me ta për përgjegjësitë e institucioneve, prindërit ndanë mes vete përvojat e tyre. Ishte tejet interesante të shihja prindërit nga të dy komunitetet që shprehnin vështirësitë e tyre, si dhe të kuptonin që kishin sfidat e njëjta, edhe në jug edhe në veri.”
Vazhdimësia me një sistem përkrahjeje
Ky rrugëtim vazhdoi me edicionin e tretë të Akademisë së të Rinjve, mbajtur në shtator e tetor të vitit 2021.
Për Agmie Osmanin, psikologe 25-vjeçare nga Prishtina, e cila mori pjesë në edicionin e tretë, Akademia ka ofruar një perspektivë të re mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mënyrë më të strukturuar e profesionale, jo vetëm mbi vullnetin e mirë. Pas shumë vitesh të punës vullnetare në një strehimore për viktimat e dhunës në familje, ajo themeloi një OJQ në vitin 2021, të quajtur ‘Follow-up”, duke parë se çfarë mungonte më së shumti në ofrimin e ndihmës për viktimat e dhunës në familje ishte mu kjo – vazhdimësia e përkrahjes.
“Këto gra nuk mund të qëndrojnë në strehimore përgjithmonë, dhe nuk kishte sistem të mbështetjes pasi të dilnin nga aty. Unë doja të isha ajo urë midis institucioneve dhe grupeve të margjinalizuara. Atë që bëja unë si vullnetare, me vizitat dhe bisedat me biznese të ndryshme për të gjetur punë për viktimat që të bëhen të vetë-qëndrueshme, dua ta bëj përmes OJQ-së sime, si dhe shkathtësive që kam fituar në Akademi”, thotë ajo.
Osmani thekson që Akademia i hapi sytë në kuptimin e trajnerëve ndërkombëtarë që ndanin praktikat që përdorin. “Për shembull, njëri nga trajnerët shpjegoi në detaje se pse ka diskriminim ndaj grave, dhe më ndihmoi të kuptoja se si të ballafaqohem me këtë në një mënyrë ndryshe”, shpjegon ajo.
Sipas Miftarit, entuziazmi i Vučinićit dhe Osmanit, si dhe puna konkrete në promovim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut është frymëzuese. “Kemi bërë shumë rrugë që prej fillimeve tona më 2019, përkundër sfidave me pandeminë. Ambicia dhe angazhimi i të rinjve të cilët kemi mundësi t’i takojmë e të punojmë përmes kësaj Akademie, e bën krejt këtë gjë aq të vlefshme.”
Një hap më tutje
Akademia nuk është fundi i rrugëtimit për këta entuziastë të rinj të të drejtave të njeriut. Osmani së voni ka marr lajmin se do të jetë pjesë e një projekti tjetër të Misionit të OSBE-së në Kosovë – Ekipi i Trajnerëve (PoT) – rrjet i aktivistëve të rinj për të drejtat e njeriut, që do të bëhen trajnerë të certifikuar për të drejtat e njeriut në komunitetet e tyre.
Disa prej pjesëmarrësve të mëparshëm do të ndjekin Akademinë e radhës që do të mbahet në vjeshtën e vitit 2022, por tash si panelistë që ndajnë përvojat e tyre, ndërsa disa anëtarë të PoT do të mbajnë një pjesë të trajnimeve.
“Po rritemi së bashku me ta, dhe jemi shumë të lumtur t’i shohim që arrijnë përditë e më larg”, thotë Miftari.