Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid, do ta vizitojë Kosovën më 27 tetor
PRISHTINË, 27 tetor 2021 – Sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid, do të realizojë nesër një vizitë në Prishtinë për takime me përfaqësues të institucioneve, komunitetit ndërkombëtar, si dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë. Vizita do të fokusohet në mandatin e OSBE-së për të mbështetur forcimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve.
Në vizitën e saj të parë në këtë cilësi, Sekretarja Schmid do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, Ministrin për Komunitete dhe Kthim Goran Rakiq, si dhe shefat e grupeve parlamentare.
Pastaj, ajo do të vazhdojë për në Vushtrri, për të vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, qendrën e trajnimit për Policinë e Kosovës dhe agjencitë e tjera të sigurisë publike, të themeluar me mbështetjen e OSBE-së që nga viti 1999. Atje do të takohet me drejtuesit e Akademisë si dhe me kadetë dhe rekrutë nga komunitete të ndryshme.
Sekretarja e Përgjithshme Schmid më pas do t’i bashkohet Rrjetit të Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane për një tryezë të rrumbullakët me OJQ-të që punojnë në fushën e barazisë gjinore, dhunën ndaj grave, dhunën në familje dhe të drejtat e grave, që do të mbahet në Graçanicë, dhe do ta përfundojë programin me një takim me përfaqësues të shquar të medias dhe shoqërisë civile.