Mergita Hoti: Një grua në veprim
Kjo është storia e Mergita Hotit, pjesëtare e komunitetit egjiptian nga komuna e Gjakovës. Storia e saj është pjesë e një serie artikujsh të Misionit të OSBE-së në Kosovë mbi betejat dhe arritjet e individëve të suksesshëm që i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Misioni i OSBE-së punon me të gjitha komunitetet në Kosovë në mbrojtën, promovimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Mergita Hoti, 22 vjeçare nga Gjakova, na mirëpriti në zyrat me plot ngjyra të organizatës joqeveritare Roma in Action.
“Në vitin 2017, një grup i miqve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian dhe unë vendosëm që ta themelojmë organizatën tonë” - thotë Mergita.
“Ne bashkërisht ishim vullnetarë për shumë vite me Bethany Christian Services dhe përjetuam për së afërmi nevojat e fëmijëve nga komunitetet. Deshëm që të shkojmë një hap më tutje dhe kështu filloj e gjitha” - shpjegon Mergita.
OJQ-ja është aktive në komunë, ku organizon aktivitete të ndryshme duke filluar nga arsimi deri tek sporti dhe fuqizimi i rinisë. Qëllimi përfundimtar i OJQ-së është ndërgjegjësimi i të tria komuniteteve dhe promovimi i gjuhës rome.
Pasioni për mësimdhënie
“Përkundër emrit të vet, OJQ-ja jonë nuk punon vetëm me romët por edhe me komunitetet e tjera” - thotë Mergita, e cila vet është pjesëtare e komunitetit egjiptian.
Ajo e kupton se të tria komunitetet ndajnë probleme të përbashkëta, posaçërisht në lidhje me arsimin.
Fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë në komunën e Gjakovës, qytet me numrin më të madh të qendrave të mësimnxënies, u jipen pajisje shkollore dhe ndihmë me detyrat e shtëpisë.
“Rëndësia e qendrave të mësimnxënies është e shumëllojshme. Ato rrisin përfshirjen në arsim, duke kontribuar kështu në parandalimin e braktisjes së shkollës dhe punën e sukseshme të fëmijëve” - shpjegon Mergita. “Në të njëjtën kohë, ato u mundësojnë pjesëtarëve të motivuar të komunitetit që të bëhen vullnetar. Duke iu falënderuar përvojës sime si vullnetare dhe mësuese, unë kam zbuluar pasionin tim për mësimdhënie. Kjo është ajo çka më ka shtyrë që të regjistrohem në Universitetin Fehmi Agani. Shumë shpejt do të bëhem mësuese e shkollës fillore” - thotë ajo me krenari.
Aktivizmi i grave
Kur fillojmë të diskutojmë përfshirjen e grave, Mergita ka shumë për të thënë.
Përfshirja e grave ka qenë sfida më e vështirë për mua. Gjithnjë përpiqem që të përfshijë gra në aktivitetet e projektit.
Në fillim, Mergita dhe disa aktiviste tjera ishin të vetmet që punonin me Roma in Action, “Arsyeja e vërtetë prapa ngurrimit të grave për t’u angazhuar ishte kryesisht se prindërit e tyre nuk do i lejonin” - thotë Mergita.
Përgjatë viteve, me një efekt domino që kishte filluar nga aktivistet, gjithnjë e më shumë gra të reja nga këto komunitete vendosën që të përfshihen.
“Kemi pasur vetëm disa gra vullnetare. Sot, mund të na duhen më shumë burra për ta arritur barazinë gjinore” - thotë Mergita duke qeshur.
Ndikimi në komunitet
Mergita e ilustroi rolin dhe ndikimin e saj në komunitet duke e ndarë këtë mendim me ne.
“Ishte një grua e re, prindërit e së cilës ia kishin aranzhuar martesën dhe i kishin kërkuar ta braktiske shkollën. Ajo erdhi që të fliste me mua në mirëbesim. Unë i ndihmova duke i dhënë hapësirë për bisedë të hapur dhe miqësore. Pas diskutimeve, prindërit u dakorduan për ta respektuar dëshirën e vajzës dhe ajo u kthye në shkollë dhe diplomoi. Isha shumë e gëzuar që i ndihmova” - thotë ajo.
“Mesazhi im, nëse do të duhej ta zgjidhja një, është se komunitetet duhet të jenë më aktive, më të angazhuara si dhe më të përqendruara në arsim” - thotë ajo.
Mos u ndje i turpëruar prej kulturës tënde dhe për atë se kush je. Mund të jesh i suksesshëm vetëm nëse e pranon vetën tënde.