Të fluturosh përtej dallimeve
"Isha pak i frikësuar në fillim, por më pas ishte super argëtuese, një eksperiencë vërtet emocionuese." Këto ishin fjalët e Senad Gushanit, një djalë i ri nga komuna e Gjakovës, pasi përfundoi lëshimin në telin e varur (‘Zip Line’) mbi peizazhin e bukur të Grykës së Rugovë, në komunën e Pejës.
Senadi ishte pjesë e një grupi prej rreth 30 të rinjsh nga i gjithë rajoni i Pejës, të ftuar nga komuna e Pejës për një aventurë që synon nxitjen e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe bashkëpunimin ndërkomunal.
Frikë, adrenaline dhe argëtim
Të rinjtë dhe të rejat - shqiptarë, serbë, rom dhe egjiptianë nga Kosova - u mblodhën në një vend të jashtëzakonshëm, në dalje të Pejës.
Aty, pasi "fluturuan" për më shumë se 700 metra mbi Grykën e Rugovës, u krijua hapësirë për ndërveprim dhe shkëmbim të ideve. Për shumicën e tyre, ishte hera e parë që përjetonin lëshimin në "Zip Line", të vetmin të kësaj madhësie në Kosovë dhe, siç e përshkroi Senadi, nivelet e adrenalinës dhe emocionet, por edhe frikës, ishin veçanërisht të larta.
Po aq ngazëlluese sa përvoja e "Zip Line" ishte mundësia që këta të rinj të lidheshin me të rinjtë e tjerë nga e gjithë Kosova. Në jetën e përditshme, mundësitë për t’u shoqëruar me moshatarë të komuniteteve të tjera janë të pakta e të rralla.
Senadi shpjegon se gjatë mëngjesit ai takohej me shumicën e pjesëmarrësve, duke krijuar kontakte të cilat shpreson t’i mbajë të gjalla duke organizuar së bashku aktivitete të ardhshme. "Atmosfera ishte vërtetë miqësore, bëmë foto të përbashkëta dhe shpërndamë video argëtuese mes nesh pas lëshimit në "Line Zip", tha ai.
Marta Dasić, vajzë e re nga Brestoviku, komuna e Pejës, ishte e kënaqur me përvojën dhe dëshiron që të planifikohen më shumë aktivitete të këtij lloji me qëllim të krijimit të miqësive me të rinjtë e tjerë. "Unë jam me të vërtetë e lumtur që kam ardhur, ishte emocionuese të përjetoja lëshimin në "Zip Line", por më e rëndësishme, që e ndava këtë përvojë me një grup të mrekullueshëm njerëzish. Disa prej të cilëve tani janë bërë miq të mi ", tha Marta.
Deklarata e përbashkët ndërkomunale
Vizita u organizua nga komuna e Pejës si një prej rezultateve të deklaratës së përbashkët ndërkomunale të përkrahur nga OSBE mbi zotimin për të promovuar dialogun ndërkomunal në komunat Pejë, Gjakovë, Deçan, Klinë, Istog dhe Junik.
Deklarata u nënshkrua nga kryetarët e këtyre komunave më 28 maj 2018. Iniciativa bazohet në idenë se një shoqëri e larmishme kulturore është një qëllim që duhet të ndiqet, që pajtimi ndërmjet komuniteteve, kthimi dhe riintegrimi, dialogu dhe respekti i ndërsjellë janë vendimtarë për një Kosovë të qëndrueshme dhe demokratike, ku nuk ka vend për asnjë formë të diskriminimit apo përjashtimit social.
Kjo ishte e para në serinë e aktiviteteve të planifikuara dhe do të pasohet nga ngjarje të ngjashme në pesë komunat e tjera të rajonit. Çdo aktivitet do të jetë i ndryshëm, i përshtatur për karakterin unik, natyror dhe kulturor të komunave përkatëse, por qëllimi do të jetë i njëjtë: të sjellë së bashku të rinj nga komunitetet dhe komunat e ndryshme, duke promovuar dialogun dhe bashkëpunimin midis tyre.
Angazhimi i OSBE-së
Përfaqësuesit e komunës dhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Qendrës Rajonale të OSBE-së në Pejë, Maid Konjhodžić, ua prezantuan pjesëmarrësve qëllimet kryesore të aktivitetit para fillimit të aventurës. Konjhodžić theksoi se OSBE është veçanërisht e kënaqur që sheh të rinjtë nga rajoni të angazhohen në aktivitete të ndryshme sportive në natyrën e bukur të Grykës së Rugovës: "Është një mundësi për të rinjtë nga komunitetet e ndryshme që të njihen me njëri-tjetrin dhe të shijojnë natyrën në rajonin e Pejës së bashku", tha ai. Ai gjithashtu shprehu dëshirën e OSBE-së që së shpejti të shohë aktivitete si kjo në komunat e tjera, "me të njëjtin qëllim që të promovojë diversitetin e rajonit dhe angazhimin e rinisë".
Ndërsa aktiviteti në Grykën e Rugovës i afrohej fundit, nuk kishte dyshime se qëllimet e saj ishin arritur. Senadi, Marta dhe të gjithë të rinjtë e tjerë që morën pjesë, kishin tejkaluar me sukses jo vetëm distancat e larta nga maja e një peme tek tjetra, por edhe dallimet dhe barrierat ndërmjet komuniteteve. Ata u argëtuan së bashku, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Me sy të kthyer nga e ardhmja, shpresa e tyre është që të vazhdojnë në këtë rrugë, duke marrë pjesë në aktivitete të reja në mbarë Kosovën, ku ata mund të takohen me njëri tjetrin dhe të ndërtojnë raporte miqësore.
OSBE vazhdon të mbështesë nismat për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve, duke mbështetur aktivizmin e të rinjve dhe duke kontribuar në mirëqenien e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.