OSBE, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës lansojnë udhëzuesin për raportim mbi dhunën në familje
PRISHTINË, 28 nëntor 2018 – Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës nesër organizojnë punëtori për të diskutuar rolin e medias gjatë raportimit të rasteve të dhunës në familje. Gjatë kësaj punëtorie do të prezantohet edhe udhëzuesi për raportim mbi dhunën në familje.
Kjo punëtori organizohet në kuadër të aktiviteteve të OSBE-së gjatë fushatës ‘16 ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, dhe do të ofrojë mundësi për gazetarët nga e gjithë Kosova që të kuptojnë rolin e fuqishëm që mediat kanë në ekspozimin e rasteve të dhunës në familje, në formësimin e diskursit publik, si dhe nxitjen e ndryshimeve në politika.
Udhëzuesi ka për qëllim të ndihmojë gazetarët në raportimin e tyre efektiv mbi dhunën në familje në mënyrë të ndjeshme për viktimat, si dhe për të adresuar dhunën në familje si shqetësim serioz në pasqyrimin e kontekstit të duhur, si dhe për të kërkuar llogari nga institucionet. Udhëzuesi përfshin një pasqyrë të kornizës përkatëse ligjore, procedurave civile, raportimit me ndjeshmëri ndaj viktimës, si dhe strehimoreve e linjave ndihmëse për dhunën në familje.
Punëtoria do të hapet nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu dhe Gentiana Begolli-Pustina, Kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Përfaqësuesit e mediave ftohen përzemërsisht të mbulojnë këtë punëtori, ditën e enjte, 29 nëntor 2018, me fillim në ora 10 në Prishtinë, në Hotel Sirius.