Banorët romë dhe ashkalinjë të objektit për banim social në Plemetin bëhen me kulm të ri
Punimet në riparimin e kulmit të dëmtuar të objektit për banim social në Plemetin, ku jetojnë 180 pjesëtarë të komunitetit rom dhe ashkali, kanë përfunduar më 29 janar 2018, me mbështetjen financiare të Caritas Luksemburg, Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadës së Luksemburgut dhe komunës së Obiliqit.
Banorët e këtij objekti gjashtëkatësh kanë qenë të ekspozuar ndaj kushteve të rënda klimatike, me shi e të ftohtë, që nga fillimi i shtatorit 2017, kur kulmi i dëmtuar nga dy incidente të mëhershme zjarri u shkatërrua plotësisht nga erërat e forta.
Në përpjekje për të gjetur zgjidhje për këtë çështje humanitare, Misioni i OSBE-së në Kosovë kishte organizuar një mbledhje urgjente me ambasadat, donatorët dhe komunën e Obiliqit më 18 tetor 2017, pas një vizite të Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tek objekti në fjalë për të parë shkallën e dëmeve.
“Ndihem i lehtësuar që po shoh përfundimin e riparimit të kulmit. Banorët e objektit, shumica e të cilëve të papunë, kanë jetuar në kushte të mjerueshme. Gjatë javëve në vijim, do të organizojmë një takim tjetër për t’i adresuar problemet e shkaktuara nga rrjedhjet dhe lagështia, si kanalizimi, uji dhe energjia elektrike”, tha Ambasadori Braathu.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Përmes iniciativave dhe projekteve të veçanta, Misioni synon të përmirësojë pozitën e komuniteteve në shoqëri.
Për më shumë rreth gjendjes në objektin në fjalë klikoni këtu: https://www.facebook.com/notes/osce-mission-in-kosovo/nj%C3%AB-kulm-p%C3%ABr-objektin-social-t%C3%AB-banuar-nga-komuniteti-rom-dhe-ashkali-n%C3%AB-plemeti/1968617586736102/