Misioni i OSBE-së në Kosovë shënon Ditën ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve
PRISHTINË, 1 nëntor 2017 – Misioni i OSBE-së do të organizojë një panel diskutimi me gazetarë, përfaqësues të organeve të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë më 2 nëntor 2017, për të shënuar Ditën ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve.
Panelistët do të vlerësojnë gjendjen aktuale të sigurisë së gazetarëve dhe sulmet e kohëve të fundit ndaj profesionistëve të medias. Gjithashtu, ata do t’i inkurajojnë organet gjyqësore që t’i trajtojnë këto raste në mënyrë më efektive dhe t’i sjellin kryerësit para drejtësisë.
Diskutimi do të hapet me një video-porosi të Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir.
Përfaqësuesit e mediave janë të ftuar të marrin pjesë. Debati mbahet nesër, më 2 nëntor 2017, në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00.