Misioni i OSBE-së organizon konferencë mbi gjendjen e mediave online në Kosovë
PRISHTINË, 29 maj 2017 – Misioni i OSBE-së organizon nesër në Prishtinë një konferencë me temë gjendjen e mediave online në Kosovë. Në konferencë do të marrin pjesë gazetarë, përfaqësues të mediave online, të shoqatave të gazetarëve, Këshillit të Mediave të Shkruara dhe shoqërisë civile.
Konferenca ka për qëllim vlerësimin e gjendje së mediave online, veçanërisht portaleve që veprojnë në Kosovë, dhe efikasitetin e vetë-rregullimit nga këto portale. Pjesëmarrësit do të trajtojnë edhe sfidat që ndërlidhen me të drejtat e autorit, trajtimin e të miturve nga mediat online si dhe përhapjen e “lajmeve të rrejshme”. Ata do të dalin me rekomandime se si të adresohen këto sfida.
Dane Koruga, Shef i Seksionit të Mediave në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Xhevahire Izmaku, ish-Kryetare e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, dhe Imer Mushkolaj, Kryetar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës do të mbajnë fjalime hyrëse.
Ftohen përfaqësuesit e mediave të marrin pjesë në konferencë të martën më 30 maj 2017 në hotel Swiss Diamond në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00.