Misioni i OSBE-së ndihmon që të sigurohet një e ardhme më e mirë për personat me dëgjim të dëmtuar në Kosovë
Me vetëm 10 përkthyes të gjuhës së shenjave të certifikuar në tërë Kosovën, personat e shurdhër dhe me dëgjim të dëmtuar rregullisht hasin në probleme me qasje në shërbime themelore komunale, polici ose në sistemin ligjor.
Problemi është madje edhe më i madh për personat e shurdhër dhe me dëgjim të dëmtuar kur ndodh që të jetojnë jashtë qendrave kryesore urbane, Prishtinë dhe Prizren.
“Nga dhjetë 10 përkthyes të certifikuar të gjuhës së shenjave në Kosovë, tetë prej tyre punojnë në Prizren dhe në Prishtinë”, tha Rukije Gashi nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve. “Kjo lejon që vetëm dy përkthyes që ndihmojnë rreth 9000 persona të shurdhër dhe me dëgjim të dëmtuar të cilët kanë nevojë për asistencë në pjesët tjera të Kosovës”.
Mungesa e përkthyesve, mundësi të kufizuara
R.T., një 20 vjeçar nga Prishtina, dhe N.C. një 28 vjeçar nga Mitrovica, janë vetëm dy nga shumë individë të shurdhër dhe me dëgjim të dëmtuar që jetojnë në Kosovë jeta e të cilëve është prekur nga mungesa e përkthyesve në dispozicion.
“Nuk mund të hyj në provim me kohë në shkollën e mesme, pasi që aty nuk ka përkthyes të gjuhës së shenjave,” thotë R.T. “Si pasojë, nuk kam mundur të regjistrohem Fakultetin e Arteve (Universiteti i Prishtinës) vitin e kaluar. Ata kanë pranuar numrin maksimum të studentëve në rundin e parë të regjistrimit, dhe ishte shumë vonë për mua që madje të provoj menjëherë pasi e mora diplomën”.
Gjatë pesë viteve të fundit, N.C. është munduar që të marrë patentë shoferin shtatë herë, por asnjëherë nuk ka pasur përkthyes në dispozicion për ta ndihmuar.
Gashi thotë që rastet e tilla si të R.T. dhe N.C. janë vetëm një shembull i ajsbergut, duke theksuar se Shoqata Kosovare e të Shurdhërve pranon dy ose tri kërkesa për mbështetje gjatë ditës por nuk mund që t’iu përgjigjet në mënyrë adekuate.
“Ekzistojnë dy arsye pse Shoqata nuk është në gjendje që të plotësojë kërkesat”, thotë Gashi. “Së pari, shpesh ka raste që nuk ka përkthyes në dispozicion. Së dyti, ka shumë pak institucione që kërkojnë përkthim me gjuhën e shenjave në pjesë të ndryshme të Kosovës që janë të gatshme ose në gjendje që të mbulojnë shpenzimet e rrugës për përkthyesit”.
Trajnimi për përkthyes shtesë
Nga qershori i këtij viti Misioni i OSBE-së në Kosovë ka filluar një kurs pesë-mujor për përkthim të gjuhës së shenjave duke u fokusuar në modelet e përkthimit, përkthim “nga zëri në shenja” dhe “nga shenjat në zë”, dhe gjithashtu një kodë të etikës dhe sjelljes profesionale. Kursi ka ofruar këtë trajnim të specializuar për 12 individë të cilët do t’i bashkëngjiten së shpejti rangut të përkthyesve të certifikuar të Kosovës.
“Për fat të mirë, përkthyesit e rinj vijnë nga shtatë qytete të ndryshme të Kosovës, kështu që ne do të kemi mbulesë territoriale më të mirë në të ardhmen e afërt”, thotë Valbona Dermaku, këshilltare për të Drejta të Njeriut në Misionin e OSBE-së në Kosovë. “Menjëherë pas certifikimit, ata do t’i ofrohen Shoqata Kosovare e të Shurdhërve dhe zyrtarëve komunalë nëpër tërë Kosovën të cilët do të jenë në gjendje që t’i kontaktojnë kur kanë nevojë për shërbimin e tyre. Kjo do të lehtësojë shumë ngarkesën e të gjithë përkthyesve ekzistues dhe do të sigurojë që individët e shurdhër dhe me dëgjim të dëmtuar janë në gjendje që të ndihmohen në kohë të duhur kur ata kanë nevojë në jetën e tyre të përditshme.
Iniciativa për një të ardhme më të mirë
“Ky është një kurs trajnimi që e kam pritur një kohë të gjatë”, thotë Besiana Bajramaj, një 18 vjeçare nga fshati Baicë në perëndim të Kosovës. Të gjithë anëtarët tjerë të familjes Bajramaj janë persona të shurdhër.
“Para këtij kursi, nuk kam pasur mundësi që të mësoj formalisht gjuhën e shenjave, dhe kjo më ka vështirësuar komunikimin ose përkthimin, me të gjithë përveç anëtarëve të familjes sime të tanishme.”, thotë Bajramaj “Menjëherë sa ta mbaroj kursin, sidoqoftë, do të mundohem që të ndihmoj sa më shumë njerëz që është e mundur”.
Derisa kursi të përfundojë me provimin e fundit në fillim të vitit të ardhshëm, ky do të jetë vetëm fillimi i asaj që do të jetë një proces i gjatë që eventualisht do të mund të shoh përkthimin e gjuhës së shenjave në dispozicion të institucioneve në mbarë Kosovën.
“Vitin e ardhshëm, ne do të organizojmë një kurs trajnimi për përkthyes të gjuhës së shenjave dhe gjithashtu do të lobojmë për themelimin e një njësie që ofron shërbime të përkthimit të gjuhës së shenjave, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”, shpjegon Gashi nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve. “Ne do të fillojmë me Zyrën e Kryeministrit, por, shpresojmë që një ditë do të ofrohen shofrohen shërbime në komuna nëpër tërë Kosovën. Ende ka rrugë të gjatë për ta kaluar, por ne jemi këmbëngulës.
Shkruar nga Mirjana Ugrenović dhe Nikola Gaon