Misioni i OSBE-së ndihmon standardizimin e akteve komunale
Një punëtori pesë-ditore për standardizimin e akteve komunale organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) ka përfunduar më 12 tetor 2012 në Durrës, Shqipëri.
Punëtoria është ndjekur nga 27 zyra ligjore komunale dhe është fokusuar në standardizimin e statuteve komunale dhe rregulloreve komunale për buxhet, arsim, mirëqenie sociale dhe shërbime komunale. Rezultati konkret i punëtorisë është një përpilim i modelit të rregulloreve komunale që ofron udhëzime për komunat se si të zhvillojnë aktet e ardhshme komunale.
“Aktualisht rregulloret komunale nuk janë të njëtrajtshme. Si rezultat i kësaj, nuk ka konsistencë në ofrimin e shërbimeve për publikun”, tha Krenar Loshi, kryesues i Seksionit për Qeverisje Lokale në Misionin e OSBE-së.
“Standardizimi i rregulloreve komunale duhet të shpie te një pjesëmarrje më e gjerë e publikut në planifikimin e buxhetit dhe përmirësime në dispozitat e shërbimeve siç janë arsimimi parashkollor si dhe ai i shkollimit fillor dhe të mesëm, ose menaxhimi i ujërave dhe mbeturinave,” shtoi Loshi.
Rregullorja- model e përpiluar do të përkthehet në gjuhët zyrtare dhe do t’u shpërndahet komunave në fillim të vitit 2013.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar, e mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.