Misioni i OSBE-së në Kosovë ndihmon Inspektoratin e Policisë të zhvillohet në institucion të qëndrueshëm mbikëqyrës
Prishtinë, 12 tetor 2012 – Misioni i OSBE në Kosovë ka përfunduar sot mbështetjen e saj për Inspektoratin e Policisë, kanë bërë të ditur Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Fitim Shishani.
Në vitin 2006, Misioni i OSBE-së ka ndihmuar që të definojë rolin e Inspektoratit, dhe që atëherë ka ndihmuar zhvillimin e strukturave dhe kapaciteteve profesionale të tij. Inspektorati tash funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme si një agjenci e pavarur mbikëqyrëse e policisë dhe është përgjegjës për të monitoruar dhe reaguar ndaj raportimeve dhe ankesave për sjellje joprofesionale të policëve.
“Ky është një ndër shembujt më të mirë të bashkëpunimit në mes të OSBE-së dhe institucioneve të Kosovës”, tha Schlumberger. Në përputhje me mandatin e Misionit të OSBE-së ne kemi ndihmuar themelimin dhe zhvillimin e Inspektoratit, dhe pas gjashtë viteve të punës së zellshme ai është zhvilluar në një institucion mbikëqyrës profesional dhe të qëndrueshëm me mandat dhe rol të qartë”.
Schlumberger ka potencuar edhe rolin e rëndësishëm të Inspektoratit për të ndihmuar në mbrojtjen e drejtave të njeriut dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve policore.
Bashkëpunimi në mes të Misionit të OSBE-së dhe Inspektoratit do të vazhdojë edhe në të ardhmen brenda një kornize më të gjerë të mbështetjes së OSBE për policinë që do të përfshijë trajnime të avancuara dhe hartim të strategjive në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe policisë në komunitet.
Misioni i OSBE-së është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut , ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.