Misioni i OSBE-së në Kosovë raporton përfundimin e rregullt të votimit
Prishtinë, 6 maj 2012 – Të gjitha vendvotimet e OSBE-së në Kosovë u mbyllën sot pas përfundimit të rregullt të votimit, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer. Sipas të dhënave të përkohshme të raportuara, pjesëmarrja në votime ishte 32.17 për qind.
“Kam kënaqësinë të raportoj që sot ishim në gjendje t’iu ofrojmë njerëzve mundësinë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në një ambient të qetë”, tha Almhofer. “Përkundër disa çështjeve të vogla teknike, dita e votimit ka kaluar në mënyrë të rregullt”.
Disa vendvotime ishin hapur me vonesë por të gjitha çështjet u zgjidhën dhe të 90 vendvotimet janë hapur deri në orën 08:15.
Nuk janë raportuar incidente të sigurisë dhe votimi është zhvilluar në një ambient të qetë.
Disa votues potencial raportuan se patën probleme për të gjetur emrat e tyre në listat e votuesve, lista që OSBE-ja i ka marrë nga Komisioni Zgjedhor i Serbisë.
Disa vendvotime në rajonin e Mitrovicës dhe të Gjilanit u mbyllën më vonë për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve.
Materialet zgjedhore janë duke u transportuar nga OSBE për në Vranjë dhe Rashkë, ku do të bëhet numërimi nga Komisioni Zgjedhor i Serbisë.
“Duke pasur parasysh kohën jashtëzakonisht të kufizuar për zhvillimin e këtij operacioni – vetëm pak më shumë se pesë ditë – unë jam i kënaqur sepse ne kemi bërë më të mirën e mundur. Dua të falënderoj stafin e Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe stafin nga misionet dhe zyrat e OSBE-së nga Tirana deri në Vjenë për punën e palodhur dhe mbështetjen e tyre të madhe. Ne i shprehim mirënjohje edhe atyre që ofruan siguri, policisë së Kosovës, EULEX-it, dhe KFOR-it,” shtoi Almhofer.