Misioni i OSBE-së në Kosovë ndihmon promovimin e policisë në bashkësi
Prishtinë, 14 dhjetor 2011 – Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe policia e Kosovës lansuan sot një fushatë të informimit publik për të promovuar qasjen e re të policisë në bashkësi.
Fushata e quajtur “Njihe policin tënd” i bën thirrje publikut që të punojë me patrullat e lagjes të themeluara së fundi dhe t’i ngritë brengat e veta të sigurisë me policët e caktuar për ta.
“Unë e mirëpres këtë koncept të përmirësuar të policisë në bashkësi. Patrullat e lagjes tani do të punojnë drejtpërsëdrejti me banorët për të përmirësuar sigurinë e tyre dhe për të parandaluar krimin në komunitetet lokale”, tha Zëvendësi i Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph.
“Patrulla duhet të ndihmojë në adresimin e brengave të veçanta të komuniteteve që përfaqësojnë pakicën në ndonjë komunë të caktuar duke krijuar lidhje të drejtpërdrejta mes komunitetit dhe policisë. Kjo gjithashtu duhet të çojë në mbrojtjen më të mirë të të drejtave të njeriut”, shtoi Joseph.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka ndihmuar zhvillimin e policisë në bashkësi në Kosovë që nga viti 2006. Misioni gjithashtu ka ndihmuar themelimin e forumeve lokale dhe komunale të sigurisë në të cilat tani do të përfshihen pjesëtarët e patrullave të lagjeve.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin e sigurisë publike.