Misioni i OSBE-së në Kosovë ndihmon vlerësimin e pajtueshmërisë së legjislacionit të asambleve komunale
Një punëtori e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë lidhur me pajtueshmërinë e legjislacionit të kuvendeve komunale dhe rolin e tyre mbikëqyrës përfundoi më 26 nëntor 2011 në Durrës, Shqipëri.
Ngjarja dy-ditore është ndjekur nga 30 kryetarë të asambleve komunale si dhe përfaqësues nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Ministrisë për Administrim të Pushtetit Lokal. Punëtoria është shfrytëzuar për të shikuar përputhshmërinë e asambleve komunale me kornizën procedurale rregullative dhe performancën e tyre sa i përket mbikëqyrjes legjislative të kryetarëve dhe administratës, sidomos në procesin e përgatitjes së buxhetit të vitit 2012.
“Shërbimet që u ofrohen qytetarëve nga administrata komunale janë në shumicën e rasteve të bazuara në vendimet dhe rregulloret e miratuara nga anëtarët dhe kryetarët e asambleve komunale. Kështu që ka një rëndësi të veçantë që ato të arrihen dhe realizohen në pajtueshmëri të plotë me kornizën legjislative,” tha Jan Lueneburg, shefi i Sektorit për Qeverisje Lokale në OSBE.
Pjesëmarrësit e konferencës kanë vërejtur se roli i mbikëqyrjes nuk është ushtruar plotësisht nga asambletë komunale. “Anëtarët e asambleve komunale dhe grupet drejtuese rrallë sfidojnë vendimet ekzekutive të perceptuara si të parregullta ose veprime që kanë anashkaluar ose neglizhuar çështjet legjislative”, tha Xhelal Gashi, Kryetar i Asamblesë Komunale.të Kaçanikut dhe kryetari i Bordit të Kryetarëve të Asambleve Komunale të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Për më tepër, monitorimi i bërë nga Misioni në asambletë komunale ka treguar se anëtarët e asambleve rrallëherë raportojnë për financat e tyre ose për konflikte tjera të interesit në vendimmarrje. Shpeshherë ftesat për takimet e hapura me publikun shpërndahen me vonesë dhe janë të pamjaftueshme për të siguruar që të gjithë qytetarët janë të informuar.
Misioni i OSBE-së në Kosovë, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Ministria për Administrim të Pushtetit Lokal si vazhdim të konferencës do të përgatisin për anëtarët e asamblesë një udhërrëfyes mbi procedurat dhe mbikëqyrjen efektive të ekzekutivit.