Misioni i OSBE-së ndihmon profesionalizimin e policisë së Kosovës
Një trajnim për menaxhimin e operacioneve i organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për 21 oficerë të rangut të mesëm të policisë së Kosovës përfundoi më 11 nëntor 2011 në Vushtrri.
Trajnimi njëmujor që synoi profesionalizmin e mëtejmë të policisë u fokusua në disa fusha përfshirë hetimet penale, operacionet policore, incidentet kritike dhe menaxhimin e marrëdhënieve me publikun.
“Policia në Kosovë është ende e re. Ajo është themeluar në vitin 1999 dhe është e natyrshme se njohuritë e tyre duhet të rriten,” tha Carsten Twelmeier, Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë. “Trajnimi bazë tashmë është bërë si duhet dhe tani po hyjmë në një fazë tjetër të trajnimeve që ka për shënjestër zhvillimin e menaxhimit dhe lidershipit si dhe fushat e specializuara dhe të avancuara të policisë”.
Trajnimi është gjithashtu parakusht për promovimin e mëtejmë në rang të togerëve, kapitenëve dhe nën-kolonelëve.
“Zyrtarët e trajnuar të policisë kanë fituar njohuri dhe aftësi të cilat do t’i ndajnë me kolegët në punën e tyre të përditshme”, tha Driton Zabërgja, Kreu i Seksionit të Trajnimeve në Akademinë Kosovare për Siguri Publike.
Trajnimi për menaxhim operacional gjithashtu do të përdoret për të identifikuar nevojat e mëtejme për trajnime si dhe për të zhvilluar menaxhimin modular të trajnimeve për policinë. Bazuar në vlerësimin e performansës, 10 policët që kanë treguar rezultatet më të mira do të bëhen trajnues të ardhshëm.
Misioni i OSBE-së promovon forcimin e sektorit të sigurisë publike në Kosovë duke ofruar asistencë dhe ngritje të kapaciteteve për agjencitë e sigurisë publike dhe njësitë e tyre të trajnimit.