Misioni i OSBE-së në Kosovë inkurajon pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje
“I gjithë qyteti ka folur për demokracinë këtë javë,” thotë 25 vjeçari Arlind Hysa, kryetar i Këshillit për Veprim Rinor në Kaçanik, qytet në jug-lindje të Kosovës.
Ai dhe 15 anëtarë tjerë të këshillit, të përkrahur nga Misioni i OSBE-së, kishin rol udhëheqës në organizimin e aktiviteteve për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë me 15 shtator 2011 në qytetin e tyre.
Sipas Arlindit, ata kanë organizuar një kuiz për demokracinë në mes të dy shkollave të mesme për të ngritur vetëdijen për parimet e demokracisë në mesin e moshatarëve të tyre. “Kuizi i ka pasur 40 pyetje,” thotë ai. “Ata janë përgjigjur saktë në 39 prej tyre, gjë që na tregon se nxënësit e kanë marrë seriozisht kuizin dhe derisa janë përgatitur për të kanë mësuar për transparencën, përgjegjësinë dhe llogaridhënien e qeverive ndaj publikut.”
Zë për rininë
Misioni i OSBE-së ka përkrahur themelimin e Këshillave Rinor në shumicën e komunave të Kosovës.
“Këshillat rinor janë të përfshirë në kornizën ligjore që e rregullon pjesëmarrjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse, dhe kjo kornizë ligjore është në përputhje me standardet ndërkombëtare,” thotë Jared Hays, ushtrues detyre i drejtorit të departamentit të demokratizimit në Misionin e OSBE-së. “Themelimi i këshillave ka mundësuar që të dëgjohet zëri i të rinjve në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me çështjet që ndikojnë në mirëqenien e tyre.”
Këshillat rinor mbledhin në një vend grupet ekzistuese që merren me çështje rinore, duke u përfaqësuar të unifikuar gjatë lobimit në institucionet lokale dhe duke pasur kështu ndikim më të madh në çështjet rinore.
Demokracia: sot dhe çdo ditë
OSBE-ja ka ndihmuar shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë nëpër të gjitha komunat e Kosovës. “Motoja e kësaj dite - Demokracia: sot dhe çdo ditë! – ka qenë në përputhje me përkrahjen e vazhdueshme që Misioni i ka dhënë këshillave rinor, e që shkon përtej ditës së demokracisë,” thekson Hays.
Pas themelimit të grupeve në dhjetor të vitit 2010, OSBE-ja ka mbajtur trajnime për anëtarët e këshillave në mbarë Kosovën. Në Kaçanik, këto trajnime janë fokusuar në identifikimin e problemeve dhe hartimin e projekteve. Misioni e ka ndihmuar këshillin edhe në implementimin e projekteve që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në jetën e të rinjve lokal.
“Biblioteka e qytetit nuk është freskuar më libra të rinj për shumë vite, kështu që e kemi hartuar një projekt dhe përmes tij i kemi kërkuar OSBE-së të na ndihmoj të blejmë libra universitar. Tani, biblioteka është më e pasur për rreth 50 libra të cilat shumë lexues nuk do të kishin mundësi t’i blinin,” thotë Hysa.
Një sukses tjetër për këshillin ka qenë pastrimi i një deponie bërlloku ilegale në qytet dhe shndërrimi i saj në një park të vogël. “Çka është edhe më mirë,” shton Hysa, “qytetarët tani vetë e mbajnë të pastër pasi e kanë parë sa të mira janë hapësirat e gjelbëruara.”
Hapat e ardhshëm
Edhe këshillat e themeluar më vonë po punojnë drejt aktivizimit. Zoran Stanković, kryetar i këshillit të Ranillugit, thotë se para krijimit të këshillit të rinjtë në komunën e tij e kanë pasur të vështirë të bëjnë ndonjë ndryshim. “Pasi që shumë pak po bëhej për ne, u detyruam që të marrim gjërat në duart tona,” thotë ai. “U bashkuam dhe e regjistruam OJQ-në Qendra për Organizim Shoqëror dhe filluam të organizojmë aktivitete për të rinj si p.sh. shfaqje teatrale.”
Tani, OJQ-ja e Zoranit është pjesë e këshillit dhe së bashku me anëtarët tjerë po punojnë që të fillojnë aktivitetet. “Statutin e kemi përfunduar, kurse aktualisht po punojmë në hartimin e planit të veprimit që përfshinë periudhën deri më 2013,” thotë ai.
Këshillat nëpër komuna të ndryshme janë në faza të ndryshime të zhvillimit dhe aktivizimit. Hapi i radhës për OSBE-në është t’i bashkoj ata me 13 tetor për të përmirësuar komunikimin dhe bashkëpunimin e tyre.
“Këshillat tashmë janë themeluar në 27 komuna të Kosovës. Do të përqendrohemi në zhvillimin e kapaciteteve të tyre dhe do t’u ndihmojmë që të bëhen mekanizëm i fuqishëm lobues për interesat e të rinjve,” thotë Hays. Përveç përkrahjes për këshillat rinor në nivelin lokal, OSBE do të zhvilloj kapacitetet e Këshillit për Veprim Rinor në nivelin qendror të themeluar kohëve të fundit, i cili do të loboj për interesat e të rinjve në institucionet qendrore.
Nga Mevlyde Salihu dhe Nikola Gaon