OSBE dënon kërcënimet ndaj gazetarit në Kosovë
Prishtinë / VJENË, 25 tetor 2016 – Kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu dhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Liri të Medias, Dunja Mijatović i dënuan sot kërcënimet e bëra kundër Leonard Kërqukit, kryeredaktorit të Gazetës Express dhe autorit të emisionit javor Zona Express.
“Dënoj kërcënimet dhe thirrjet për dhunë kundër Kërqukit. Liria e shprehjes duhet të mbështetet dhe të respektohet në të gjitha rrethanat,” tha Braathu. “U bëj thirrje autoriteteve të sundimit të ligjit t’i hetojnë këto kërcënime menjëherë dhe t’i sjellin kryerësit para drejtësisë.”
Me stilin e tij prej dokumentari, Zona Express shqyrton dhe flet për tema të ndjeshme në shoqërinë kosovare. Emisioni i fundit, i transmetuar më 23 tetor 2016, trajtonte, mes tjerash, çështjen e krimeve kundër popullatës lokale serbe. Që nga kjo kohë, Kërquki është bërë subjekt i një fushate njollosjeje në mediat sociale.
“Kërcënimet dhe dhuna kundër gazetarëve përbën sulm ndaj demokracisë dhe shoqërisë si tërësi. Anëtarët e mediave duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të rëndësishme në mënyrë të lirë dhe të sigurt,” tha Mijatović, duke e mirëpritur edhe dënimin që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bëri kërcënimeve kundër Kërqukit.