OSBE-ja organizon Akademinë e Dialogut 2016 për Gra të Reja
Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së në Serbi, për të dytin vit radhazi, po organizojnë Akademinë e Dialogut për Gra të Reja, si pjesë e nismës Follow Us (Na Ndiqni). Kjo nismë mbledh gra të shquara nga politika, bota akademike, mediat dhe shoqëria civile nga Beogradi e Prishtina, si dhe mbështet procesin e dialogut, pajtimit e ndërtimit të besimit ndërmjet dy shoqërive.
Qëllimi i Akademisë është që të fuqizojë gratë e reja përmes ofrimit të njohurive për çështje që kanë të bëjnë me rolin e grave në promovimin e dialogut, pajtimit dhe bashkëpunimit. Edicioni 2016 i programit bazohet në përvojën dhe suksesin e vitit të kaluar, ku 22 gra të reja nga Prishtina e Beogradi patën mundësinë të marrin pjesë në një sërë ligjëratash dhe pune ekipore, si dhe të jenë pjesë e një rrjeti të gjerë aktivistësh e ekspertësh në fushën e fuqizimit të gruas, grave në politikë, dialogut dhe pajtimit.
Këtë vit, nga data 30 shtator deri më 9 tetor 2016, 24 studente të shkencave sociale dhe profesioniste të reja nga fusha e medias, politika dhe shoqëria civile do të vijojnë programin e Akademisë, që do të mbahet në Kështjellën e Paqes në Schlaining, Austri.
Të diplomuarat e Akademisë do të bëhen Alumni të Dialogut, dhe nga to pritet të krijojnë rrjetin e tyre alumni, gjë që do t’iu mundësojë atyre hartimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta, duke ndjekur shembullin e Alumnive të Akademisë së Dialogut 2015 të OSBE-së.
Për më shumë informata rreth aplikimit ju lutemi klikoni në këtë vegëz:https://www.osce.org/kosovo/245131