Të diplomuarat e Akademisë së Dialogut të OSBE-së takohen në Beograd
Nga data 6 deri 8 prill 2016, 20 pjesëmarrëset e Akademisë së Dialogut të OSBE-së u takuan në Beograd për ta vazhduar bashkëpunimin dhe për të rënë dakord për projektet e përbashkëta për vitin 2016.
Takimi u organizua në kuadër të Nismës “Follow Us” (Na ndiqni) të mbështetur nga OSBE, nismë kjo e ndërtimit të besimit e cila mbledh rreth vetes gra të shquara nga Beogradi dhe Prishtina në fushën e politikës, mediave, akademisë dhe shoqërisë civile.
Kjo ishte vizita e parë në Beograd e të diplomuarave nga Prishtina. Ato u pritën në Kuvendin e Serbisë nga përfaqësueset e Nismës “Na ndiqni”. Gjatë takimeve të tyre, pjesëmarrëset nga Prishtina dhe Beogradi pranuan rëndësinë e aktivizimit qytetar të grave në nxitjen e pajtimit dhe dialogut, si dhe shtjelluan ide për veprime të përbashkëta që përfshijnë gratë e reja nga të dyja shoqëritë.
“Vërtetë më pëlqeu vizita ime e parë në Beograd dhe jam krenare që jam pjesë e kësaj nisme. Kjo dëshmon se dialogu dhe edukimi për paqe gjithsesi mund të ndihmojnë që të na lirohen zemrat nga paragjykimet dhe mostoleranca dhe refuzimi i të tjerëve”, theksoi Marigona Lajqi, e diplomuar nga Akademia e Dialogut nga Prishtina.
“Jam e lumtur që arritëm t’i mirëpresim mikeshat tona nga Prishtina këtu në Beograd. Bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellë çojnë në gjëra të mëdha; i kemi identifikuar një numër aktivitetesh të përbashkëta që do të realizohen gjatë këtij viti. Kjo nismë na mundëson që të rritemi si individë por dhe si pjesë e një grupi”, tha Jovana Zhivkoviq, e diplomuar nga Beogradi.
Pjesëmarrëset e takimit ranë dakord që të realizojnë një program mentorimi dhe të punës praktike me gra të shquara në Beograd dhe Prishtinë, si dhe të organizojnë takime kontakti në terren me të dyja shoqëritë, që kanë për qëllim forcimin e dialogut në çështje specifike, si eliminimi i dhunës në baza gjinore.
Vizita e ardhshme e shkëmbimit do të jetë në gusht të vitit 2016 në Prizren, ndërsa aktivitetet dhe rezultatet e përbashkëta të vitit 2016 do të prezantohen në konferencën e fundit të vitit.