Raporti i Misionit të OSBE-së vlerëson përparimin dhe sfidat në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve në Kosovë
PRISHTINË, 17 dhjetor 2015 – Edhe pse trendet pozitive vazhdojnë, nevojiten më shumë përpjekje për të avancuar të drejtat e komuniteteve, konkludon një raport i Misionit të OSBE-së në Kosovë i publikuar sot.
Edicioni i katërt i Raportit Vlerësues për të Drejtat e Komuniteteve vlerëson përparimin e bërë nga institucionet e Kosovës në respektimin e Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në fushat e dialogut ndërmjet komuniteteve, sigurisë dhe drejtësisë, gjuhës, arsimit, të drejtave socio-ekonomike dhe pjesëmarrjes, kthimit, kulturës dhe mediave.
Raporti vë në pah se ka përmirësim në reagimin e institucioneve ndaj incidenteve të sigurisë, në përpjekjet e tyre për të vendosur bashkëpunim rajonal për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova, si dhe në lëshimin e letërnjoftimeve dhe dokumenteve të regjistrimit civil në gjuhët e komuniteteve.
Në anën tjetër, raporti thekson disa sfida të mbetura që kanë të bëjnë me promovimin e mëtejmë të dialogut dhe pajtimit, mundësitë e kufizuara për të mësuar gjuhët e komuniteteve, dhe përfaqësimin e ulët të komuniteteve në shërbimin civil.
“Në çdo shoqëri, është me rëndësi që të gjitha komunitetet të mund të jetojnë në ambient të sigurt me liri për pjesëmarrje aktive në jetën publike, të mund të përdorin gjuhën e tyre, dhe të praktikojnë kulturën dhe fenë e tyre,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Jean-Claude Schlumberger.
“Që kjo të ndodhë, ka nevojë për identifikim të problemeve dhe gjetje të zgjidhjeve. Ky raport bën pikërisht këtë: identifikon fushat ku ka nevojë për vëmendje të mëtejshme të organeve përgjegjëse,” shtoi ai.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.
Raportin e plotë mund ta gjeni në: www.osce.org/kosovo/209956