Institucionet ta përmirësojnë përgjigjjen ndaj rasteve të dhunës në familje, thotë Shefi i Misionit të OSBE-së
PRISHTINË, 24 nëntor 2015 – Në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, tha se institucionet relevante duhet të bëjnë më shumë për të përmirësuar përgjigjjen e tyre në rastet e dhunës në familje.
Schlumberger tha se gjatë tri viteve të fundit, gratë kanë qenë viktima në përafërsisht 80% të rasteve të raportuara të dhunës në familje, dhe se ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve të raportuara gjatë secilit vit.
“Sidoqoftë, në Kosovë, ashtu sikur në mbarë botën, numri i rasteve të raportuara nuk e tregon në mënyrë adekuate nivelin e dhunës ndaj grave ose shkallën e problemit të dhunës në familje,” tha ai. “Dhuna në familje shpesh konsiderohet si ‘çështje e brendshme familjare’ dhe niveli i ulët i raportimit mbetet shqetësim i madh.”
Përgjigjja e institucioneve relevante ndaj dhunës në familje shpesh mungon, tha Schlumberger.
“Një shembull i asaj se çfarë mund t’i ndodh një viktime të dhunës në familje pa mbështjetje të duhur është vrasja e znj. Zejnepe Bytyçi-Berisha nga Suhareka. Rasti i saj flet për dështim në sistemin që do të duhej t’i ndihmonte dhe mbronte viktimat e këtij krimi.”
Shefi i Misionit të OSBE-së tha se pas vdekjes së znj. Bytyçi-Berisha, Misioni ka analizuar përgjigjjen e institucioneve përgjegjëse për t’i ofruar ndihmë asaj, dhe rezultatet kanë qenë zhgënjyese.
“Raporti që po publikojmë sot tregon se nuk janë ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për ta mbrojtur atë dhe për të hetuar pretendimet për dhunë në familje ndaj bashkëshortit të saj, edhe pasi ajo kishte tentuar të kryente vetëvrasje në vitin 2012 – çka duket të ketë qenë përpjekja e saj e fundit për të kërkuar ndihmë nga institucionet relevante – edhe pasi kishte ofruar dëshmi se ajo dhe vajza e saj 11 vjeçare i ishin nënshtruar abuzimit në mënyrë të përsëritur,” tha Schlumberger.
“Në Kosovë, në përgjithësi ekziston korniza ligjore dhe rregullative për të mbrojtur personat si znj. Bytyçi-Berisha dhe për të sjellë autorët e dhunës në familje para drejtësisë. Por autoritet – Policia e Kosovës, prokurorët, Njësitë e Mbrojtësve të Viktimave, dhe Qendrat për Punë Sociale – të gjitha duhet të bëjnë më shumë për të përmbushur obligimet e tyre në këto raste.”
Raportin e plotë me rekomandime mund ta gjeni këtu: https://www.osce.org/sq/kosovo/203056