Pjesëmarrësit e tryezës së rrumbullakët të OSBE-së bëjnë thirrje për politika më të mira të përfshirjes së komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas
Politikat e reja për përfshirjen e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas të Kosovës duhet të hartohen së bashku me përfaqësuesit e komuniteteve, të përmbajnë qëllime të qarta e indikatorë të matshëm, si dhe të kenë fonde të nevojshme, thanë pjesëmarrësit e një tryeze të rrumbullakët të organizuar nga OSBE në Prishtinë me 5 nëntor 2015.
Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit për Qeverisje të Mirë, Komitetit Drejtues Ndër-Institucional për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas, shoqërisë civile, dhe organizatave ndërkombëtare të cilët diskutuan për zbrazëtirat në zbatimin e Planit të Veprimit të Strategjisë për Integrim të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë (2009-2015). Ata po ashtu ndanë përvojat e deritanishme para nisjes së hartimit të politikave përtej 2015-tës.
“Romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit mbesin komunitetet më të margjinalizuara, dhe kjo gjendje duhet të ndryshoj. Për ta bërë këtë ndryshim, institucionet e nivelit qendror e lokal duhet t’i adresojnë nevojat specifike të këtyre komuniteteve menjëherë dhe sistematikisht në mënyrë që tu ofrojnë qasje të barabartë në të drejta dhe shërbime, siç janë shkollimi, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe punësimi,” tha Nikola Petrovski, Këshilltar për Komunitete në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
“Politikat duhet të bëhen për këto komunitete, me këto komunitete,” shtoi ai.
Tryeza është organizuar me kërkesë të platformës së shoqërisë civile, e themeluar në vitin 2013 e cila përfshin shtatë organizata jo-qeveritare që punojnë për përfshirjen e komunitetit rom, ashkali e egjiptas.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.