Redaksia e lajmeve
Misioni i OSBE-së dënon dhunën në Kuvendin e Kosovës
PRISHTINË 8 tetor 2015
Prishtinë, 8 tetor 2015 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, dënoi aktet e dhunës që ndodhën sot në Kuvendin e Kosovës gjatë përpjekjeve të opozitës për të bllokuar punimet.
“Dhuna që pamë sot në Kuvend është e papranueshme dhe e dëmshme për demokracinë. Pamjet shqetësuese të përdorimit të gazit lotsjellës, të deputetëve që kërkonin ndihmë mjekësore dhe incidenteve tjera cenojnë pasqyrën e progresit demokratik në Kosovë. Në të njëjtën kohë, bllokada institucionale dëmton progresin dhe reformat,” tha Ambasadori Schlumberger.
“Në Kosovë ekzistojnë mekanizma të mjaftueshëm për debat pluralist dhe unë u bëj thirrje të gjitha palëve që të shfrytëzojnë këto mekanizma e të mos përdorin dhunë,” shtoi ai.