Misioni i OSBE-së në Kosovë ndihmon në përmirësimin e qasjes së grave në pronë
Nga 17 marsi deri më 1 prill 2015, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar disa punëtori me temë të drejtat e grave në pronë. Në punëtori kanë marrë pjesë përfaqësues nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, zyrtarë komunal për çështje gjinore, urbanizëm dhe kadastër, komunitete dhe kthim, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Pjesëmarrësit janë trajnuar rreth aspekteve procedurale të regjistrimit të pronës dhe të qasjes së barabartë në pronë, si për burrat ashtu edhe për gratë. Ata do të jenë pjesë e një ekipi trajnuesish, që do të punojnë në ngritjen e vetëdijes rreth kësaj teme dhe do të organizojnë vizita me gratë në zonat rurale dhe me grupet komunale të grave.
“Njëra nga arsyet prapa pabarazisë gjinore është drejtpërdrejt e lidhur me ushtrimin jo të barabartë të të drejtave pronësore. Duke mos trashëguar pronë, gratë shpesh herë e gjejnë veten të varura ekonomikisht,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
“Gratë janë pronare të vetëm tetë për qind të pronës së regjistruar në Kosovë. Për këtë arsye, Misioni po bën përpjekje të përmirësojë këtë situatë dhe të inkurajojë ndryshim të qëndrueshëm të qëndrimeve dhe praktikave që kufizojnë ushtrimin e barabartë të të drejtave pronësore dhe të banimit nga gratë,” shtoi Schlumberger.
Pjesëmarrësit gjithashtu shqyrtuan një draft manual të përgatitur nga Misioni, me informata, raste studimore, si dhe ushtrime e këshilla për organizimin e trajnimeve të ardhshme dhe vizitave në teren. Përveç kësaj, Misioni është duke hartuar një katalog i cili përmban informata rreth mekanizmave që janë në dispozicion për t’iu siguruar grave qasje të barabartë në të drejtën e pronës dhe të banimit. Të dyja këto publikime do të botohen në pjesën e dytë të 2015.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin, dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.