Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë i shqetësuar me sulmin ndaj redaktorit të gazetës, njëherësh kryetar i asociacionit të gazetarëve
PRISHTINË, 10 dhjetor 2014 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Ambasadori Jean-Claude Schlumberger ka shprehur sot shqetësimin e tij për sulmin ndaj redaktorit të gazetës dhe kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës Zekirja Shabani.
Shabani ka kërkuar ndihmë mjekësore me 8 dhjetor pasi ka raportuar në polici sulmin fizik dhe verbal ndaj tij nga punëdhënësi dhe drejtori i gazetës Tribuna.
Sipas Shabanit, mosmarrëveshja në mes tij dhe drejtorit të gazetës ka ndodhur për shkak të pagave të papaguara dhe një padie që Shabani e planifikonte kundër gazetës për këtë arsye, dhe pasi Shabani kishte refuzuar ta nënshkruaj një njoftim për ndërprerje të parakohshme të kontratës së tij. Shabani është pushuar nga puna me 9 dhjetor.
“Gazetarët në Kosovë kanë raportuar në polici më shumë se 20 raste të sulmeve dhe kërcënimeve kundër tyre vetëm gjatë vitit 2014. Rasti i fundit i raportuar nga Zt. Shabani i gazetës Tribuna në të cilin sulmuesi është drejtpërdrejtë punëdhënësi i tij është veçanërisht shqetësues pasi që buron në gazetën ku ai ka punuar,” tha Schlumberger.
“Shtëpitë mediale duhet të jenë ato që ofrojnë mbrojtje për gazetarët dhe redaktorët e tyre e jo të jenë burim i kërcënimeve dhe dëmtimeve fizike shtesë.” shtoi Schlumberger dhe i bëri thirrje Tribunës dhe mediave tjera në Kosovë ta respektojnë ligjin e punës. Ai gjithashtu i bëri thirrje Policisë së Kosovës dhe zyrës së prokurorisë ta trajtojnë këtë rast me kujdes maksimal.