Luftimi i kontrabandës me migrantë në rajon në fokus të ushtrimit të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë
PRISHTINË, 19 nëntor 2014 – Misioni i OSBE-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, organizojnë nesër në Prishtinë një takim vlerësues, i cili është njëkohësisht edhe aktiviteti i fundit i ushtrimit rajonal të organizuar në tri pjesë me temë luftimin e kontrabandës me migrantë. Në ushtrim kanë marrë pjesë agjencitë e zbatimit të ligjit nga Ankaraja, Podgorica, Prishtina, Shkupi, Sofja dhe Tirana.
Ky takim mbahet pas punëtorisë së planifikimit dhe hartimit të skenarit, dhe ushtrimit praktik të mbajtur prej 23 deri më 26 shtator 2014, gjatë së cilit një rrjet kontrabanduesish me migrantë është përcjellur dhe shpartalluar gjatë rrugëtimit të tyre nga Stambolli, përmes Sofjes dhe Shkupit për në Prishtinë, e më pastaj tutje për në Podgoricë e Durrës.
Takimi ka për qëllim identifikimin e praktikave të mira dhe të metave gjatë ushtrimit, si dhe nxjerrjen e rekomandimeve se si të përmirësohet bashkëpunimi rajonal në hetimin e kontrabandimit të migrantëve.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Ambasadori Jean-Claude Schlumberger dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni do të flasin në këtë ngjarje.
Ftohen mediat të marrin pjesë në hapjen e kësaj ngjarje të enjten, më 20 nëntor 2014, në ora 10:30 në ndërtesën administrative të Policisë së Kosovës në Prishtinë.