Misioni i OSBE-së nis serinë e punëtorive për OJQ-të që monitorojnë organet zgjedhore në Kosovë
Me 29-30 shtator 2014, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbajtur në Prishtinë punëtorinë e parë nga pesë sa do të mbahen gjithsej për dhjetë OJQ lokale me temë monitorimin e performancës së organeve zgjedhore.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, komisionet komunale zgjedhore dhe këshillat e vendvotimeve bartin barrën kryesore të një procesi zgjedhor. Për integritetin e zgjedhjeve është shumë e rëndësishme që të sigurohet që këto organe punojnë në përputhje me mandatet e tyre, kornizën ligjore dhe standardet ndërkombëtare,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
“Për shumë vite ne kemi ofruar mbështetje teknike dhe këshilla për organet zgjedhore, ndërsa tani ne duam të ndihmojmë në ndërtimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për të monitoruar performancën e këtyre organeve përgjatë tërë ciklit zgjedhor,” shtoi ai.
Punëtoria e parë u fokusua në standardet ndërkombëtare dhe parimet zgjedhore, si dhe zbatimin e tyre në kontekstin e Kosovës. Punëtoritë tjera që do të mbahen këtë vit (2014) dhe vitin tjetër (2015) do të trajtojnë tema si korniza ligjore e zgjedhjeve, shqyrtimi i ankesave dhe rasteve gjyqësore që lidhen me zgjedhjet, financimi i një procesi zgjedhor dhe financimi i partive politike, funksionet dhe mandatet e organeve zgjedhore, si dhe metodologjitë për vlerësimin e performancës së tyre.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.