Përfshirja aktive e shoqërisë civile dhe përgjigjja institucionale vendimtare për eliminimin e gjuhës së urrejtjes, thonë pjesëmarrësit e konferencës së OSBE-së
PRISHTINË, 13 qershor 2014 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean–Claude Schlumberger, dhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Mediave, Dunja Mijatović, kanë hapur sot në Prishtinë një konferencë një-ditore për marrjen e masave kundër rasteve të gjuhës së urrejtjes pa shkelur lirinë e shprehjes.
Në konferencë kanë marrë pjesë më shumë se 50 gazetarë, ekspertë ligjorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të institucioneve nga Ballkani perëndimor, të cilët kanë shqyrtuar dispozitat dhe praktikat ligjore që aplikohen në rajon në përpjekje për ta zvogëluar gjuhën e urrejtjes. Ata thanë se përfshirja aktive e shoqërisë civile dhe përgjigjjet e duhura institucionale janë vendimtare në eliminimin e gjuhës së urrejtjes, përfshirë asaj në internet.
“Gjuha e urrejtjes mund t’i dëmtojë ata kundër të cilëve është e drejtuar pasi që nxit diskriminim, dhunë dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut,” tha Ambasadori Schlumberger . “Prandaj, largimi i gjuhës së urrejtjes nga diskursi publik është shumë me rëndësi për pajtimin dhe ndërtimin e besimit në mes të grupeve dhe komuniteteve të ndryshme, dhe kërkon bashkëpunim në mes të legjislativit, ekzekutivit dhe drejtësisë, si dhe medias e shoqërinë civile.”
Mijatović tha: “Mediat e lira dhe mbrojtja e së drejtës themelore për liri të shprehjes janë bazë për zhvillim të shoqërive më tolerante dhe më të respektueshme.” Ajo shtoi se vetëm shprehjet që përbëjnë nxitje të drejtpërdrejtë të dhunës mund të ndalohen dhe se çfarëdo gjuhe tjetër, sado problematike apo fyese, nuk duhet të ndiqet penalisht.
Konferenca shënon fillimin e debatit për adresimin e gjuhës së urrejtjes në Kosovë, dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në Ballkanin perëndimor.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.