OSBE përfundon me sukses operacionin në veri të Kosovës në mbështetje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
MITROVICË, 8 qershor 2014 – Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përfunduar me sukses operacionin e saj në veri të Kosovës në mbështetje të zgjedhjeve të sotme parlamentare.
Të gjitha 94 vendvotimet në 40 qendra të votimit në komunat e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin-Potokut janë hapur me kohë dhe personat me të drejtë vote kanë pasur mundësinë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. OSBE-ja ka angazhuar 150 pjesëtarë për t’u ofruar KVV-ve (Këshillave të Vendvotimeve) këshilla dhe ndihmë teknike të atypëratyshme në të gjitha fazat e procesit.
“Kemi qenë dëshmitarë të një operacioni të mirë zgjedhor, të realizuar në mënyrë profesionale. Nuk janë raportuar incidente apo parregullsi të mëdha. Kjo është një arritje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për votuesit,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
“Dua ta falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionet Komunale Zgjedhore për bashkëpunimin e tyre, si dhe Këshillat e Vendvotimeve për angazhimin e tyre. Po ashtu, i përgëzoj organet e sigurisë - Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in – për performancën e tyre të shkëlqyer në ruajtjen e një mjedisi të sigurt e të favorshëm për zgjedhje të qeta.
OSBE-ja ka përkrahur procesin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.