Shefi i Misionit të OSBE-së dënon vrasjen e këshilltarit komunal të Mitrovicës së Veriut
Prishtinë, 16 janar 2014 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, ka dënuar vrasjen e mbrëmshme të Dimitrije Janiqijeviqit.
Janiqijeviq ka qenë kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet lokale të nëntorit 2013 dhe ka marrë detyrën e këshilltarit të kuvendit komunal vetëm para pesë ditëve.
“Jam i tronditur nga lajmi për vrasjen e z. Janiqijeviqit dhe shpreh indinjatë për këtë akt,” tha Schlumberger.
“Figurat politike në pjesën veriore të Kosovës kanë qenë cak i disa sulmeve në periudhën para zgjedhore, por asnjë nga këto sulme nuk kanë pasur pasojë kaq të rëndë. Është absolutisht e papranueshme që në këtë ditë dhe këtë shekull zyrtarët e zgjedhur të jenë shënjestra në këtë mënyrë.
“Z. Janiqijeviq do të përfaqësonte interesat e elektoratit të tij, diçka që duhet respektuar në çdo shoqëri demokratike.
Schlumberger i shprehi ngushëllimet e tij më të sinqerta familjes Janiqijeviq dhe u bëri thirrje agjencive për zbatim të ligjit të bëjnë të pamundurën për të hetuar këtë krim të turpshëm dhe për të ndjekur autorët e krimit.
OSBE ka lehtësuar zgjedhjet në katër komunat veriore në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit në mes të Beogradit dhe Prishtinës.