Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë inkurajon gratë që të votojnë
Katër vite punë të OSBE-së për të përmirësuar pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje në nivel lokal u shënuan në një konferencë të mbajtur në Prishtinë me 9 tetor 2013.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbështetur themelimin dhe trajnimin e grupeve të grave asambleiste në rreth 30 komuna. Grupet kanë identifikuar nevojat më urgjente të grave në zonat urbane dhe rurale, kanë promovuar financim adekuat nga komuna për nismat e tyre, si dhe kanë hartuar rregullore komunale për barazinë gjinore.
“Përpjekjet e gupeve të grave asambleiste si dhe mbështetja jonë për to në katër vitet e fundit kanë pasur për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje lokale si dhe luftimin e diskriminimit në bazë gjinore,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
“Tani në periudhën parazgjedhore, ju inkurajoj të gjithëve, pavarësisht përkatësisë apo përkrahjes suaj politike, të komunikoni me gratë dhe t’i nxisni ato që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme,” shtoi ai.
Pjesëmarrësit e konferencës analizuan arritjet e grupeve të grave asambleiste këtë vit si dhe filluan planifikimin e aktiviteteve për 2014, të cilat do të fokusohen në promovimin e fuqizimit ekonomik, barazisë gjinore si dhe bashkëpunimit mes grupeve të grave asambleiste dhe institucioneve qendrore.
Në konferencë morën pjesë rreth 100 anëtare të grupeve të grave asambleiste si dhe të grupit të grave deputete në Kuvendin e Kosovës, përfaqësues të Agjencisë për Barazi Gjinore dhe të Zyrës së Avokatit të Popullit.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Mbështetja e misionit për grupet e grave do të vazhdojë edhe në 2014.