Dita e së Drejtës për të Ditur: Pjesëmarrësit e punëtorisë së OSBE-së bëjnë thirrje për më shumë transparencë në komuna, heqje të pagesës për informacion
PRISHTINË, 27 shtator 2013 – Publiku dhe organizatat e shoqërisë civile akoma përballen me sfida kur bëhet fjalë për qasjen në dokumentet zyrtare në nivel lokal, thanë pjesëmarrësit e një punëtorie të OSBE-së të mbajtur sot në Prishtinë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të së Drejtës për të Ditur.
Zyrtarë të nivelit qendror e lokal, përfaqësues të mediave dhe të shoqërisë civile diskutuan mënyrat se si të rritet transparenca në punën e komunave në mbarë Kosovën. Ata u pajtuan që duhet të standardizohen procedurat e miratimit të kërkesave për qasje në dokumente zyrtare si dhe që kriteret e klasifikimit të dokumenteve duhet të qartësohen tutje në kornizën ligjore.
Pjesëmarrësit e punëtorisë gjithashtu u bënë thirrje disa komunave që të heqin tarifën prej një Euro për kërkesë informacioni, pasi që kjo praktikë bie ndesh me dispozitat ligjore.
“U bëj thirrje komunave që t’i vënë në dispozicion të publikut dokumentet zyrtare. Kjo do t’ua mundësojë organizatave të shoqërisë civile dhe mediave që të kërkojnë llogari nga komunat,” tha Elaine Conkievich, Drejtoreshë e Departamentit për Demokratizim në OSBE.
“Transparenca është një nga parimet kryesore të qeverisjes së mirë dhe obligim ligjor i institucioneve ndaj publikut.”
Vitin e ardhshëm, Misioni i OSBE-së do të monitorojë zbatimin e konkluzave të punëtorisë dhe do të organizojë konsulta të mëtutjeshme rreth klasifikimit të dokumenteve zyrtare dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Misioni i OSBE-së ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.