Liderët fetarë kanë rol të rëndësishëm në forcimin e respektit dhe mirëkuptimit në mes të komuniteteve të ndryshme në Kosovë, thonë pjesëmarrësit e konferencës së OSBE-së
Prishtinë, 17 shtator 2013 – Liderët dhe pjesëtarët e komunitetit islam, ortodoks serb, katolik, protestant dhe hebraik u mblodhën sot në një konferencë të organizuar nga OSBE në Prishtinë me temë dialogun ndërfetar për të diskutuar çështjet e përbashkëta që preokupojnë komunitetet fetare në Kosovë.
Pjesëmarrësit nënvizuan diversitetin fetar dhe nivelin e konsiderueshëm të tolerancës fetare në Kosovë si dhe rolin e rëndësishëm që kanë liderët fetarë në forcimin e respektit dhe mirëkuptimit në mes të komuniteteve të ndryshme në Kosovë.
Ata bënë thirrje për një kornizë ligjore të përmirësuar për lirinë e fesë, e cila do tu mundësonte të regjistrohen si persona juridik, të kërkojnë kthim të pronës dhe t’i rregullojnë financat e tyre.
“Unë i përgëzoj liderët fetarë për gatishmërinë dhe përpjekjet e tyre për të ndihmuar në promovimin e tolerancës fetare dhe ndëretnike në Kosovë,” tha Ambasadori Jean Claude Schlumberger, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Liria e mendimit, ndërgjegjes, fesë dhe besimit janë me të vërtetë të drejta themelore që kërkojë mbrojtje gjithëpërfshirëse në çdo shoqëri moderne. OSBE është e gatshme të vazhdojë të përkrahë komunitetet fetare në përpjekjet për të përmirësuar pozitën e tyre ligjore dhe të vazhdojë të kontribuojë për dialog dhe pajtim në mes të komuniteteve.”
Konferenca u mbajt pas një serie të 15 forumeve ndërfetare në nivel lokal të organizuara nga OSBE në gjashtë muajt e fundit.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillim e sektorit të sigurisë publike.