Kryesuesja e Radhës e OSBE-së Valtonen përfundon vizitën në Beograd dhe në Prishtinë ku rithekson angazhimin e vazhdueshëm për stabilitet dhe siguri në rajon
VIENË/HELSINKI, 17 shtator 2025 — Kryesuesja e Radhës e OSBE-së, Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, përfundoi vizitën e saj dy-ditore në Beograd dhe në Prishtinë, ku u angazhua në diskutime me zyrtarë të nivelit të lartë për avancimin e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin.
Në Beograd, Kryesuesja e Radhës Valtonen u takua me Kryeministrin Gjuro Macut, Ministrin e Punëve të Jashtme Marko Gjuriq dhe Kryetaren e Kuvendit Ana Brnabiq. Ajo gjithashtu vizitoi Misionin e OSBE-së në Serbi me ç ‘rast u takua me U.d. Shefen e Misionit Carolina Hidea dhe punonjësit e Misionit, duke shprehur vlerësimin e saj për përkushtimin e tyre të palëkundur në përmbushjen e mandatit të Misionit. Ministrja Valtonen u takua gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile ku temë diskutimi ishin sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, liria e medias dhe siguria e gazetarëve, si dhe liria e shprehjes. Ajo gjithashtu vizitoi Café-bar 16, drejtuar nga Qendra për Integrimin e të Rinjve - projekt ky i Misionit të OSBE-së në Serbi.
“Është vërtet frymëzuese të shohësh se si puna e OSBE-së dhe e Operacioneve në Terren inkurajon ndryshime pozitive në rajon. Misionet punojnë bashkërisht në projekte dhe iniciativa të përbashkëta, siç janë: vendosja e kontakteve mes të rinjve, edukimi medial dhe shkëmbimet mes gazetarëve. Kjo është thelbësore për progresin rajonal dhe bashkëpunimin në çështjet e paqes dhe sigurisë”, tha Valtonen.
Kryesuesja e Radhës Valtonen udhëtoi gjithashtu për në Prishtinë, ku u takua me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, përfshirë këtu Rrjetin e të diplomuarave të Akademisë së Dialogut të OSBE-së, platformë shkëmbimi që bashkon gra të reja nga Prishtina dhe Beogradi. Krahas kësaj, Kryesuesja vizitoi Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe u takua me Shefin e Misionit në Kosovë, Gerard McGurk, dhe punonjësit e Misionit, duke i përgëzuar për kontributin e tyre për stabilitet dhe promovim të të drejtave të të gjitha komuniteteve.