E dërguara e posaçme e Kryesisë së OSBE-së përfundon vizitën e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut
VJENË/HELSINKI, 9 maj 2025 - E dërguara e posaçme e Kryesisë së OSBE-së, ambasadorja Terhi Hakala, përfundoi sot vizitën e saj zyrtare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Vizita riafirmoi përkushtimin e OSBE-së për stabilitet, siguri dhe forcimin e institucioneve demokratike në Evropën Juglindore.
Në Podgoricë, e dërguara e posaçme Hakala u takua me kryeministrin Milojko Spajiç, kryetarin e Kuvendit Andrija Mandiç, drejtoren e përgjithshme për çështje multilaterale të Ministrisë së Punëve të Jashtme Nizaheta Kurpejoviç-Cikotiç, dhe këshilltarët presidencialë për politikën e jashtme dhe çështjet evropiane Irena Preleviç dhe Millosh Radonjiç. Gjatë vizitës së saj, Hakala nënvizoi rëndësinë e proceseve aktuale reformuese të vendit drejt arritjes së synimeve të saj strategjike kombëtare.
“Misioni i OSBE-së gëzon partneritet të fortë me Malin e Zi dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë të përshtatur për të avancuar axhendën e reformave të Malit të Zi. Kjo në veçanti përfshinë forcimin e demokracisë, vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe promovimin e lirisë së mediave dhe edukimin mediatik”, tha ambasadorja Hakala.
Në Shkup, ambasadorja Hakala u takua me sekretaren shtetërore të Ministrisë së Punëve të Jashtme Elena Kuzmanovska dhe këshilltarin e kryeministrit për politikë të jashtme Saso Markovski. Ajo u takua edhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Kuvendit Nikola Gjoshevski. E dërguara e posaçme Hakala theksoi rolin aktiv dhe konstruktiv të Maqedonisë së Veriut brenda OSBE-së, i cili u nënvizua nga Kryesimi i saj me Organizatën në vitin 2023.
“Puna e Misionit të OSBE-së në Shkup është një pjesë e madhe e përkushtimit të vazhdueshëm të Organizatës ndaj Maqedonisë së Veriut. Misioni vazhdon të demonstrojë rëndësinë dhe vlerën e vet duke iu përshtatur nevojave në zhvillim të vendit, duke mbështetur institucionet nikoqire në fushat në një linjë me prioritetet e Kryesimit tonë, me përfshirjen e qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe dialogut gjithëpërfshirës,” tha e dërguara e posaçme Hakala.
Gjatë vizitës së saj, e dërguara e posaçme Hakala u takua edhe me ekipe të Misionit të OSBE-së në Mal të Zi dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, duke vlerësuar angazhimin dhe punën e tyre të vlefshme në terren. Gjatë qëndrimit të saj në Maqedoninë e Veriut, e dërguara e posaçme vizitoi gjithashtu dhe Zyrën e OSBE-së në Tetovë, ku u takua me stafin e Misionit.
Në të dy vendet, ambasadorja Hakala u takua edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile të angazhuar në çështje të tilla qenësore si sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, barazia gjinore, roli i rinisë në sigurinë, lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.