Prezenca e OSBE-së mbështet Komisionin e Shërbimit Civil me botimin e raportit vjetor të veprimtarive “Buletin 2011”

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, i dorëzoi më 25 Maj kryetarit të Komisionit të Shërbimit Civil, Fatmir Tafaj, raportin e veprimtarive të këtij Komisioni për vitin 2011, të botuar me mbështetjen e Prezencës.
Raporti, i titulluar “Buletin 2011”, përfshin po ashtu 22 raporte rreth inspektimeve të realizuara nga Komisioni vitin e kaluar në disa Ministria, Bashki dhe Këshilla Qarqesh.
“Nuk mund të ketë një shoqëri demokratike të themeluar mbi shtetin e së drejtës pa një shërbim civil profesionist,” tha Ambasadori Wollfarth. “Raporti vjetor i veprimtarive dhe raportet e mbikëqyrjes do të shërbejnë për të promovuar më tej punën e Komisionit të Shërbimit Civil dhe do të rrisin transparencën e veprimtarisë së gjerë të tij.”
Wollfarth shtoi se këto botime do t’i shërbejnë edhe institucioneve shtetërore si një udhërrëfyes për trajtimin sa më të mirë të çështjeve që lidhen me menaxhimin e nëpunësve civilë dhe për kërkimin e zgjidhjeve ligjore konstruktive për një shërbim më të mirë të qytetarëve në Shqipëri.
Ky botim do t’u shpërndahet të gjitha institucioneve shtetërore që janë pjesë e sistemit të shërbimit civil, si dhe organizmave të tjerë shtetërorë, organizatave jofitimprurëse dhe bibliotekave.
Qysh nga viti 2003, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka pasur një bashkëpunim të suksesshëm me Komisionin e Shërbimit Civil dhe ka organizuar trajnime me nëpunësit civilë pranë njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e pavarura shtetërore.