Përgjigja e drejtësisë penale ndaj terrorizmit, në fokusin e seminarit të OSBE-së, në Shqipëri
Forcimi i përgjigjes së drejtësisë penale ndaj terrorizmit, në respekt të plotë të shtetit të së drejtës, ishte qëllimi i një seminari dyditor, që përfundoi më 14 nëntor 2019, në Tiranë. Në seminar morën pjesë mbi 40 profesionistë shqiptarë nga agjencitë përkatëse qeveritare, Dhoma e Avokatëve dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, së bashku me Njësinë për Veprim kundër Terrorizmit të Departamentit të OSBE-së për Kërcënimet Transnacionale, seminari u përqendrua në praktikat më të mira të përshkruara me hollësi në Memorandumin e Forumit Global të Antiterrorizmit të mbajtur në Rabat, ku përcaktohen masat efektive për parandalimin dhe ndjekjen penale të terrorizmit, duke vënë theksin te respektimi i të drejtave të njeriut dhe ligjeve të tjera ndërkombëtare në fuqi.
Në fjalën e hapjes, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, kujtoi sulmet e13 nëntorit 2015 në Paris, dhe vuri në dukje se ky përvjetor i trishtueshëm "nënvizon nevojën për një reagim gjithëpërfshirës ndërkombëtar ndaj kërcënimit të terrorizmit në të gjitha nivelet". Ai shtoi: "Respektimi i standardeve të të drejtave të njeriut në çdo kohë dhe angazhimi i palëkundur ndaj legjislacionit vendas dhe atij ndërkombëtar është pjesë thelbësore e suksesit të luftës kundër terrorizmit”.
Ekspertët dhe pjesëmarrësit diskutuan rreth mekanizmave efektive të bashkërendimit midis agjencive qeveritare vendase dhe aktorëve të tjerë në vend dhe, në veçanti, rreth rëndësisë së bashkëpunimit ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjeve të terrorizmit. Seminari, gjithashtu, theksoi nevojën për të siguruar mbrojtjen e të gjitha palëve të përfshira në raste terrorizmi, si dhe për hartimin e politikave efektive për vendosjen prapa hekurave, rehabilitimin dhe ri-integrimin sërish në shoqëri të terroristëve që kryejnë dënimin.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e konsideron luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm si një aspekt thelbësor për garantimin e sigurinë rajonale. Ajo bashkëpunon ngushtë me aktorët shtetërore, shoqërinë civile dhe të rinjtë, si dhe me ekspertë të tjerë vendas e ndërkombëtarë, për çështje të tilla si kthimi i luftëtarëve të huaj terroristë, apo ekstremizmi i dhunshëm në sistemin e burgjeve dhe në radhët e të rinjve. Gjithashtu, Prezenca nxit organizatat e shoqërisë civile që të bashkojnë forcat me Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike për trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Seminari në Tiranë ishte i dymbëdhjeti në serinë e veprimtarive të organizuara nga Njësia për Veprimin kundër Terrorizmit, në vijim të seminareve të mëparshme të zhvilluara në Nikosia (2014), Shkup, Sofje, Tashkent (2015), Sarajevë (2016), Prishtinë, Nur-Sultan (2017), Issyk-Kul, Budva (2018), Ashgabat dhe Dushanbe (2019).