Përfundon trajnimi i përbashkët rajonal i OSBE dhe UNODC për kripto-valutat, rrjetin e errët dhe hetimet me bazë burimet e hapura në Tiranë
Rritja e njohurive dhe aftësive të profesionistëve të fushës së drejtësisë penale nga Evropa Juglindore sa i përket hetimit të kripto-valutave dhe rrjetit të errët (darknet), si dhe përdorimit të metodave të hetimit me bazë burimet e hapura ishte fokusi i një kursi një-javor trajnimi organizuar bashkërisht nga OSBE-ja dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) nga 5 deri më 9 mars 2018 pranë Akademinë Shqiptare të Sigurisë në Tiranë.
Në këtë kurs, i cili u organizua bashkërisht nga Departamenti i Sekretariatit të OSBE-së për Kërcënimet Transnacionale dhe Programi Global i UNODC-së kundër Pastrimit të Parave (GPML), me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe të Akademisë Shqiptare të Sigurisë, morën pjesë 19 profesionistë që shërbejnë pranë institucioneve të ndryshme të drejtësisë penale nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia.
Trajnimi u ofroi pjesëmarrësve një përmbledhje gjithëpërfshirëse të çështjeve kryesore që lidhen me përdorimin kriminal të kripto-valutave dhe të rrjetit të errët. U diskutuan konceptet kryesore dhe çështjet aktuale që lidhen me respektimin e ligjit, rregullimin dhe konfiskimin e kripto-valutave. Pjesëmarrësit patën mundësinë që të realizonin transaksione reale në monedhën virtuale bitcoin dhe gjurmime bitcoin-i. Pjesa e dytë e kursit fokusohej tek hetimi i rrjetit të errët përmes hetimit me bazë burimet e hapura. Atyre iu dha një tablo e gjerë dhe e hollësishme e veprimtarive kriminale në tregjet Tor dhe përftuan përvojë konkrete duke përdorur burime të hapura të llojllojshme për qëllime hetimi.
Meqenëse ky kurs është pjesë e një nisme më të gjerë rajonale të OSBE-së për rritjen e kapaciteteve trajnuese të vendeve përfituese të kësaj nisme në luftën kundër krimit kibernetik dhe krimit të mundësuar nga kibernetika, një ditë e tij iu kushtua edhe zhvillimit të mëtejshëm të aftësive trajnuese të atyre pjesëmarrësve që do të shërbejnë si trajnerë vendas në fazat e ardhshme të projektit.
Ky kurs ishte i katërti në një varg veprimtarish rajonale trajnimi që janë zhvilluar dhe do të zhvillohen nga muaji janar deri në prill të këtij viti në kuadrin e këtij projekti. Ai përbën një përpjekje të përbashkët të Departamentit të Sekretariatit të OSBE-së për Kërcënimet Transnacionale, misioneve të OSBE-së në Evropën Juglindore dhe autoriteteve të vendeve përkatëse.
Zbatimi i projektit drejtohet nga një bord koordinimi, i cili përzgjedh dhe emëron pjesëmarrësit për secilin trajnim rajon, dhe më vonë do të monitorojë dhe do të vlerësojë trajnimet vendore që vetë përfituesit do t’i organizojnë gjatë fazës së dytë të projektit.