Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së dhe Komisionari i BE Hahn inkurajojnë partitë politike në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë që të angazhohen në procesin politik dhe arritjen e një marrëveshjeje përmes dialogut
VJENË, 8 qershor 2015 - Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier dhe Komisionari i BE-së për Politikë të Fqinjësisë Evropiane dhe Zgjerimit Johannes Hahn, në një takim më 6 qershor, kanë shqyrtuar me shqetësim situatën në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe kanë diskutuar hapat e mëtejmë, të nevojshme për tejkalimit e shpejtë të tensioneve aktuale politike.
Zannier falënderoi Komisionarin Hahn për rolin e tij personal në dialogun ndër-partiak të lehtësuar nga BE-ja, dhe theksoi se është me rëndësi që të gjitha partitë politike të mbesin të angazhuar dhe të përkushtuar për hapjen e dialogut në mënyrë konstruktive dhe transparente. Ai shpreson se në takimin e tyre të ardhshëm në Bruksel ,më 10 qershor, palët do të gjejnë zgjidhje për pikat e mbetura.
Zannier dhe Hahn u pajtuan se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme deri në prill të vitit 2016, siç është rënë dakord nga liderët e vendit javën e kaluar, do të jetë një hap i rëndësishëm drejt normalizimit. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për përforcimin e proceseve demokratike në vend,” tha Zanier. “Unë pres që Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) përsëri do të angazhohet me kapacitet të plotë në vëzhgimin e zgjedhjeve, veçanërisht në këtë kohë vendimtare.”
Duke vënë në dukje se raporti përfundimtar i ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin 2014 vuri në dukje një numër mangësish, Zannier theksoi nevojën që institucionet përkatëse të vendit të zbatojnë në mënyrë të plotë dhe urgjente rekomandimet e ODIHR-it për proceset zgjedhore.
Duke përshëndetur marrëveshjen paraprake të arritur nga partitë politike më 2 qershor, Zannier tha: “Udhëheqësit politikë kanë treguar gatishmëri për zgjidhjen e çështjeve të mbetura, dhe unë i inkurajoj ata në arritjen e një marrëveshjeje për të kapërcyer krizën e tanishme.”