Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias boton analizën ligjore të projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri
VJENË, 11 korrik 2019 – Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, botoi sot një analizë ligjore të projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri, pas disa konsultimeve për procesin e hartimit me përfaqësues të qeverisë, përgjatë muajve të fundit.
Analiza e kryer nga Dr. Joan Barata Mir, ekspert i pavarur për lirinë e medias, nënvizon përmirësimet domethënëse krahasuar me variantet e mëparshme, të cilat gjithashtu u shqyrtuan dhe iu dërguan autoriteteve, në muajt janar dhe qershor të këtij viti.
Përfaqësuesi theksoi: “Është e nevojshme që legjislacioni i ardhshëm të respektojë standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes dhe të mos ketë ndikim negativ në lirinë e medias në vend”.
“Zyra ime u përfshi në një proces të gjatë konsultimi, në fazën e hartimit të ligjit,” tha Désir, “E vlerësoj bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet, bashkëpunim që çoi në përmirësime të shumta".
“Megjithatë, nevojiten ende përmirësime të mëtejshme të këtij ligji”, tha Përfaqësuesi, duke shtuar se shpreson që një gjë e tillë të ndodhë gjatë shqyrtimit të projektligjit në Kuvend.
Désir e mirëpriti faktin që, sipas projektligjit, ofruesit e shërbimeve të botimeve elektronike nuk janë të detyruar të regjistrohen për të ushtruar veprimtarinë e tyre.
Ai theksoi se “Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), organi rregullator i medias audiovizive, nuk duhet të zëvendësojë organet e pavarura gjyqësore ose mekanizmat vetërregullues të efektshëm për çështjet e lirisë së shprehjes,” duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për bllokimin e përmbajtjes, për gjobat në rast të shkeljes së ligjit dhe për modalitetet e së drejtës për t’u përgjigjur.
Analiza ligjore pohon se normimi ligjor i varianteve elektronike të medias së shkruar dhe, më gjerë, ai i “ofruesve të shërbimit të botimeve elektronike” nuk duhet të jetë i njëjtë me normimin ligjor të shërbimeve mediatike audiovizive. Rekomandohet që kjo e para të përjashtohet nga fusha e veprimit të këtij projektligji.
Përfaqësuesi solli në vëmendje se bllokimi ose pezullimi i botimeve online gjykohet si masë ekstreme kundrejt të drejtës për lirinë e shprehjes dhe, për pasojë, pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet kur ka shkelje shumë të rënda të të drejtave të tjera të njeriut ose të parimeve demokratike, apo kur nuk ekziston mundësia për të përdorur masa të tjera.
Përfaqësuesi nënvizoi se kompetencat e AMA-s në lidhje me “bllokimin e përkohshëm/kufizimin e qasjes në internet” mund të përdoren vetëm në tri raste të përcaktuara ngushtësisht në ligj: në rastin e materialeve pornografike me të mitur; të nxitjes së veprimeve terroriste; dhe të cenimit të sigurisë kombëtare dhe kur këto lloj masash gjykohen të jenë të nevojshme dhe përpjesëtimore, duke vlerësuar ekzistencën e kanosjes së një rreziku.
Përfaqësuesi tha, gjithashtu, se “duhen krijuar mekanizma të efektshëm ankimi dhe shqyrtimi përpara gjykatës, si element sigurie për botuesit dhe për qytetarët. Në rrethana të tjera, këto masa duhet të administrohen nga sistemi i drejtësisë penale. Kompetencat e AMA-s nuk duhet të shtrihen në trajtimin e çështjeve të tilla si shpifja”.
Po ashtu, në analizën ligjore këshillohet të sqarohet i tërë procesi i vendimmarrjes së AMA-s me Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) dhe me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
“Zyra ime mbetet e gatshme të vazhdojë të ofrojë ndihmë për këtë ligj të rëndësishëm. Është tejet e rëndësishme që procesi i konsultimit publik të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës për të gjithë profesionistët e medias, organizatat e gazetarëve dhe për aktorët e tjerë përkatës të fushës së medias, vendas dhe ndërkombëtarë,” tha në përfundim Përfaqësuesi.
Teksti i plotë i analizës ligjore gjendet në adresën: www.osce.org/representative-on-freedom-of-media/425462
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias vëzhgon zhvillimet e medias në të 57 Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ai bën paralajmërim të hershëm për shkeljet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, dhe promovon respektimin e plotë të angazhimeve të OSBE-së për lirinë e medias. Mësoni më shumë në www.osce.org/fom, Twitter @OSCE_RFoM dhe në www.facebook.com/osce.rfom.