Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së Shqipëri organizoi Forumin IX vjetor për Zhvillimin e Medias
Publishing date: 18 shtator 2023
Content type: News
What we do: Demokratizimi, Arsimi, Mirëqeverisja, Liria dhe zhvillimi i medias, Rinia
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi më 18 shtator 2023, edicionin e nëntë të Forumit për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu kjo mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Forumi i këtij viti u përqendrua në çështje të lidhura me sigurinë e gazetarëve, legjislacioni që prek mediat dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në punën e mediave në Shqipëri. Gjatë fjalës së hapjes, Ambasadori Bruce Berton, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për kauzën e lirisë së medias në vend. “Është thelbësore që mediave t’u ofrohen mjetet dhe politikat institucionale për t’i ndihmuar ato që të lundrojnë në një mënyrë të përgjegjshme dhe etike në ekosistemin e informacionit që ndryshon me shpejtësi. Në përputhje me parimet e OSBE-së, të cilat qeveria është angazhuar që t’i zbatojë si një nga 57 shtetet tona pjesëmarrëse, institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa. Për këtë arsye, i nxisim autoritetet që të kenë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të peshojnë me kujdes të drejtën për shpërndarjen e informacionit që është i rëndësishëm për publikun. Faktet duhen lënë gjithmonë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime a korrupsion,” tha ai. Në hapje të takimit folën edhe Adea Pirdeni, Zv.ministrja e Drejtësisë, Teresa Ribeiro, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Ambasador Luigi Soreca, I ngarkuar me punë ad interim, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, dhe Giulia Re, Kryetarja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Sesioni i dytë i Forumit iu kushtua sfidave kryesore që lindin për shkak të përdorimit të zgjeruar të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në media në ditët e sotme. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e transparencës, aksesit në informacion dhe verifikimit të fakteve si mjet për luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e gazetarisë profesionale. Gjatë Forumit u mbajt një ceremoni e veçantë, gjatë së cilës u shpallën edhe fituesit e konkursit vjetor të Prezencës së OSBE-së për verifikimin e fakteve. Ata janë: Arbjona Çibuku nga Citizens Channel për artikullin e saj "Pylli orbital i Tiranës". Esmeralda Cenollari nga Faktoje.al për shkrimin e saj tërheqës "Bajpasi i Vlorës". Ilda Koçi, po ashtu nga Faktoje.al, për shkrimin e saj mendjemprehtë “Të gjitha rrugët e Shijakut të çojnë në Park, një faturë 40 milionë lekë për parkun që nuk ekziston!”. Konkursi i sivjetshëm u përqendrua në verifikimin e fakteve dhe përdorimin e të dhënave nga burime të hapura, përkrahjen e gazetarisë së bazuar në fakte, si dhe promovimin e përdorimit të të dhënave me burim publik dhe të aftësive solide për mbledhjen e lajmeve.
Pjesëmarrëset e Akademisë së OSBE-së për Dialog përfundojnë vizitën studimore në Belfast
Publishing date: 18 shtator 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Demokratizimi, Barazia gjinore, Rinia
Belfast dhe Prishtinë, 18 shtator 2023- Tetë studente, alumni të Akademisë së Dialogut të themeluar nga OSBE që bashkon gra të reja nga Prishtina dhe Beogradi, përfunduan sot një vizitë studimi një javore në Irlandën e Veriut.
Misioni i OSBE-së i bashkon të rinjtë nga komunitete të ndryshme të Kosovës përmes sportit
Publishing date: 1 shtator 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli sot edicionin e katërt të kampit multietnik të tenisit të organizuar në bashkëpunim me komunën e Graçanicës, duke mbledhur të rinj nga komunitete të ndryshme për ushtrime dhe lojëra. Në këtë edicion morën pjesë 20 të rinj nga komuniteti shqiptar, serb dhe ashkali të Kosovës nga komunat e Prishtinës, Obiliqit dhe Graçanicës. Të rinjtë mësuan rreth tenisit nën drejtimin e trajneres Marija Djordjevic dhe ushtruan për lojëra parakualifikuese në terrenet për lojëra të tenisit në Parkun e Gërmisë si dhe mësuan shkathtësitë e nevojshme të sportit, të cilat i treguan në ndeshjen finale në Graçanicë. Pas tri ndeshjeve finale, fituesit Marija Crvenković, Luka Filić dhe Viktor Radić u shpërblyen me medalje nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport, Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić dhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Graçanicës, Dušan Cvejić. "OSBE-ja prej kohësh është e përkushtuar në mbështetje të institucioneve në nxitjen e marrëdhënieve dhe dialogut më të mirë ndërmjet komuniteteve. Sporti është një mënyrë e shkëlqyer për të ndërtuar ura, për të rritur mirëkuptimin dhe për të promovuar respektin, duke sfiduar gjithashtu stereotipet”, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport. Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić, falënderoi OSBE-në për organizimin e këtij aktiviteti dhe për vlerësimin e përpjekjeve të komunës. “Komuna dëshmoi për të katërtin vit se qëndron për bashkëpunim. Mendojmë se mënyra më e mirë për të forcuar bashkëpunimin ndërkomunal është përmes të rinjve”. Drejtoresha e Qendrës Rinore në Obiliq, Zelushe Kelmendi, qendër që është pjesëmarrëse për të katërtin vit, theksoi se ky turne u mundëson të rinjve shoqërimin dhe thyerjen e barrierave ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Ky është viti i katërt radhazi që Misioni i OSBE-së mbështet kampin multietnik të tenisit, duke vazhduar me sukseset e viteve të mëparshme. Përveç ofrimit të një mundësie për një mjedis të shëndetshëm dhe mbështetës për lojtarët e rinj, kampi i ndihmon edhe në kapërcimin e barrierave gjuhësore dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Vë theks në fuqizimin e të rinjve përmes dialogut dhe aktiviteteve ndëretnike, duke njohur potencialin e tyre në promovimin e paqes dhe sigurisë.
Përmbyllet edicioni i 3-të i “Artfest,” mbajtur në Mitrovicën e Jugut me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë
Publishing date: 3 gusht 2023
“Artfest”, një festival treditor i artit dhe i të drejtave të njeriut për të rinjtë, i organizuar nga OJQ-ja Hapësina Shoqnore për Dekonstruksion (HSD) dhe i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, u përmbyll më 30 korrik 2023 në Mitrovicën e Jugut. Festivali, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së për të tretin vit radhazi, mblodhi më shumë se 200 fëmijë dhe të rinj të komuniteteve të ndryshme në rajonin e Mitrovicës. Gjatë festivalit, fëmijët dhe të rinjtë shprehën vizionin e tyre për një shoqëri gjithëpërfshirëse përmes krijimtarive të tyre me argjilë, vizatime, qepje, pikturim fytyrash dhe duke marrë pjesë në punëtori për ndërtimin e paqes. Gjithashtu, fëmijët dhe të rinjtë morën pjesë në aktivitete muzikore si dhe vizituan ekspozitën në Shoqatën e të Shurdhërve, “Mbishkrimi i Përkujdesit” ("Inscribing Care"), të artistes serbe Dunja Karanoviq. “Artfest ka bërë bashkë komunitetet e ndryshme përmes artit, të papenguar nga strukturat sociale dhe me bashkëpunime të mirëfillta ndërmjet komuniteteve. Ndonëse organizim formal, ndjesia e krijuar në Artfest është gjithëpërfshirëse dhe që të gjithë, fëmijë, prindër, studentë, gra, burra e të moshuar e kanë gjetur veten si pjesë përbërëse të këtij edicioni”, tha Besart Peci, aktivist i shoqërisë civile dhe një nga pjesëmarrësit. “Krijimet artistike nxjerrin në pah imagjinatën e fëmijëve dhe kjo është ajo çfarë mund ta arrijmë. Kjo e ka bërë më të bukur qytetin dhe jetën në përgjithësi”, ka shtuar ai. Me vullnetarë nga e tërë Evropa dhe nga OJQ-të lokale si HSD, Handikos, Bonevet, Community Building Mitrovica dhe Local Peace, festivali ofroi një mundësi unike për dialog dhe shkëmbim ndërmjet komuniteteve. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Promovon në mënyrë aktive qasjen gjithëpërfshirëse për të dëgjuar zërat e të rinjve dhe punon drejt zhvillimit të shkathtësive të të rinjve në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, vullnetarizmi, ngritja e vetëbesimit, të menduarit kritik, kohezioni social dhe dialogu.
OSBE, UNHCR, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, rrisin përpjekjet për t’i dhënë fund pashtetësisë
Publishing date: 19 korrik 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
Misioni i OSBE-së në Shkup, së bashku me Përfaqësinë e UNHCR në Maqedoninë e Veriut, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive nisën me punëtorinë rajonale që synon të mbështesë shtetin në përpjekjet për t’i dhënë fund pashtetësisë.
Prezenca e OSBE-së ndihmon parlamentin e Shqipërisë të forcojë lidhjen me qytetarët
Publishing date: 17 korrik 2023
Personeli i zyrave të komunikimit me zgjedhësit nga e tërë Shqipëria dhe zyrtarë të lartë të administratës së Kuvendit u mblodhën në Shkodër, më 14 dhe 15 korrik 2023, në një takim bashkërendues dhe trajnim. Veprimtaria u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, me synimin për të përmirësuar aftësitë e stafit të zyrave të deputetëve. Ditën e parë, pjesëmarrësit diskutuan për ecurinë e zyrave dhe mësuan nga përvoja e njëri-tjetrit. Ditën e dytë, ata morën pjesë në një trajnim të fokusuar te rritja e angazhimit të qytetarëve, afrimi i Kuvendit me të rinjtë, mundësimi i takimeve mes qytetarëve dhe deputetëve, mbajtja e të dhënave dhe përgatitja e vlerësimeve. Po, ashtu stafi i Kuvendit diskutoi për planet e disa veprimtarive në terren, të cilat do të zhvillohen me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, në qarqe si Gjirokastra, Saranda, Vlora, Dibra, Shkodra, Korça dhe Elbasani. “Ne vlerësojmë rolin e pazëvendësueshëm dhe domethënës të shërbimeve parlamentare. Mbështetja jonë është provë e përkushtimit afatgjatë për të krijuar një marrëdhënie me aktive dhe të shëndetshme mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre. Shoqëria civile dhe parlamenti kanë filluar të afrohen dhe, duke mbështetur nisma si kjo, ne jemi të vendosur ta ngushtojmë akoma më tej largësinë mes tyre”, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, tha në hapje të takimit. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genci Gjonçaj, theksoi se parlamenti është shtëpia e popullit dhe duhet t’i shërbejë atij edhe përmes zyrave zgjedhore, që janë ura lidhëse. Ai e konsideroi rolin e Prezencës së OSBE-së si të pazëvendësueshëm në këtë proces. Për më se një dekadë, Prezenca e OSBE-së ka punuar së bashku me Kuvendin e Shqipërisë për të rritur profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën e tij. Në vitet 2015-2016, Prezenca mbështeti hapjen e zyrave të komunikimit me zgjedhësit në Korçë dhe Shkodër dhe, prej asaj kohe, ka organizuar veprimtari për të konsoliduar besimin dhe bashkëpunimin mes deputetëve dhe komuniteteve vendore.
Prezenca e OSBE-së mundëson shkëmbimin e praktikave më të mira mes Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike në Shqipëri
Publishing date: 12 korrik 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Një seminar për shkëmbimin e praktikave më të mira të Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP) mes bashkisë së Elbasanit dhe atyre të Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit u zhvillua në Elbasan, më 12 korrik 2023. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi veprimtarinë në partneritet me Bashkinë e Elbasanit me qëllimin për të rritur efektshmërinë e KVSP-ve në trajtimin e çështjeve të sigurisë publike dhe për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve vendore dhe aktorëve joinstitucionalë në parandalimin dhe adresimin e sfidave të sigurisë në komunitet. “Që prej krijimit në vitin 2016 me mbështetjen e Prezencës, Këshilli Vendor i Sigurisë Publike i Elbasanit – i pari në Shqipëri – ka dëshmuar efiçencë mbresëlënëse në rritjen e sigurisë në komunitet. Ai tani është një shembull i praktikave më të mira, që mund të ndahen me KVSP-të e tjera në mbarë vendin”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, në hapje të takimit. Ai theksoi se suksesi i KVSP-ve varet nga përfshirja aktive e të gjithë aktorëve – zyrtarëve vendorë, agjencive të zbatimit të ligjit, organizatave të shoqërisë civile, rinisë dhe medias. Në veprimtari morën pjesë përfaqësues të lartë të Elbasanit, Lushnjës, Cërrikut dhe Gramshit, përfshirë kryetarët e këtyre bashkive, drejtuesit e prokurorisë dhe policisë së Elbasanit dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të ndryshme, të organizatave rinore dhe të shoqërisë civile. Në diskutimet e tyre ata theksuan rëndësinë e KVSP-ve në parandalimin dhe trajtimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike dhe mënyrat më të mira që këto Këshilla të shërbejnë si urë mes policisë dhe institucioneve dhe komuniteteve në adresimin e shqetësimeve të sigurisë publike. Mekanizmat e sigurisë të ngritura nga KVSP-ja e Elbasanit, si edhe nismat e shoqërisë civile dhe të të rinjve për sigurinë publike u paraqitën, gjithashtu, gjatë takimit. Gledian Llatja, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, tha: “Ne nuk mundemi dot të jemi një ishull në qark apo një ishull në Shqipëri dhe prandaj duhet që këto struktura komunitare dhe këtë mënyrë funksionimi, eksperiencën e mirë dhe të keqe, ta ndajmë me njëri-tjetrin dhe të krijojmë një ambient më të sigurt jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë qarkun dhe, pse jo, në të gjithë Shqipërinë”. Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike – të ngritura në 56 nga 61 bashkitë e Shqipërisë – janë struktura me kompetenca këshillimore, në të cilat mblidhen aktorët vendorë si pushteti vendor, agjencitë ligjzbatuese, shoqëria civile, të rinjtë, drejtuesit fetarë dhe media, për të diskutuar dhe përmirësuar bashkëpunimin shumëpalësh në trajtimin e çështjeve të sigurisë. Prezenca e OSBE-së ka mbështetur krijimin dhe funksionimin e tyre që prej vitit 2016 dhe do të vijojë t’i përkrahë këto mekanizma me synimin për të institucionalizuar më tej dhe për të fuqizuar rolin e tyre në rritjen e sigurisë në komunitet.