Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Shqipëria miraton një Mekanizëm të ri Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit, hartuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së
Publishing date: 29 qershor 2023
Content type: News
Më 26 qershor, institucionet shtetërore shqiptare dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC) nënshkruan një Marrëveshje të re Bashkëpunimi për Mekanizmin Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit (MKR), hartuar falë asistencës teknike të Prezencës së OSBE-së në vitet 2022-2023. Marrëveshja e re, që synon të trajtojë llojet ekzistuese dhe të reja të trafikimit të qenieve njerëzore, përfshin të gjitha institucionet përkatëse për të garantuar mbrojtjen e duhur për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit në Shqipëri. Ajo është fryti i një analize të plotë të vlerësimit të nevojave dhe i konsultimeve me palët e interesuara shtetërore dhe të shoqërisë civile, të kryera nga Prezenca dhe Ministria e Brendshme, me qëllim përditësimin e kuadrit të MKR-së në përputhje me sfidat shqiptare të trafikimit të qenieve njerëzore, kuadrin ligjor dhe me angazhimet e OSBE-së. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bruce Berton theksoi faktin se, “Për herë të parë në Shqipëri, Marrëveshja e MKR-së përfshin bordin këshillimor të viktimave të trafikimit nëpërmjet strehëzave për viktimat e trafikimit, e bën atë edhe më të dallueshëm dhe në përputhje me qasjen e OSBE-së për të pasur viktimat në qendër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore”. Pesëmbëdhjetë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe OSHC-ve e nënshkruan Marrëveshjen e re të Bashkëpunimit për MKR-në. Vlen të theksohet se numri i nënshkruesve është zgjeruar në krahasim me marrëveshjen e mëparshme, duke përfshirë institucione të tilla shtetërore si Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Inspektorati Shtetëror i Punës, Ndihma Juridike Falas, Agjencia Shtetërore e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe Shërbimi Shtetëror i Punësimit, si dhe OSHC që ofrojnë ndihmë të menjëhershme dhe afatgjatë për viktimat e trafikimit, duke zgjeruar kështu gamën e shërbimeve në dispozicion për të rriturit dhe fëmijët viktima të trafikimit. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë t’i ofrojë mbështetje teknike institucioneve shtetërore në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për MKR-në nëpërmjet ofrimit të udhëzimeve dhe trajnimeve specifike.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet agjencitë ligjzbatuese shqiptare për forcimin e kapaciteteve hetimore në luftë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar
Publishing date: 27 qershor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Transnational Threats Department
Në datat 26-27 qershor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një program trajnimi dy-ditor për shtatëmbëdhjetë pjesëtarë të Policisë së Shtetit (PSH), Byrosë Kombëtare të Hetimit (NBI) dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Veprimtaria e trajnimit u mbajt me mbështetjen e Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, si dhe të organeve ligjzbatuese të shtetit italian, sikurse Policia e Shtetit, Guardia di Finanza dhe Grupi i Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierëve. Programi i trajnimit synonte forcimin e kapaciteteve të përgjithshme hetimore dhe operacionale të agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Gjatë trajnimit u trajtuan tema të tilla si instrumentet legjislative të BE-së në përgjithësi dhe Platforma Shumëdisiplinore Evropiane Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT) me në qendër rrjetet kriminale me rrezikshmëri të lartë në veçanti, veprimet operacionale që përfshijnë Ballkanin Perëndimor, hetimi financiar dhe penal i rrjeteve të krimit të organizuar transnacional, analiza e të dhënave dhe përdorimi i teknikave speciale të hetimit, si dhe lidhjet mes korrupsionit dhe krimit të organizuar transnacional. Kjo veprimtari u organizua nga Departamentet e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për Bashkëpunim për Sigurinë dhe për Qeverisjen për Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore. Ajo u mbajt në kuadër të projekteve të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje zbatimit të ligjit shqiptar për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal” dhe “Veprim i Konsoliduar kundër Korrupsionit në Shqipëri”. Këto projekte synojnë t’i vijnë në ndihmë agjencive ligjzbatuese shqiptare në fuqizimin e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit, mësimin nga praktikat më të mira të organeve simotra evropiane, si dhe mbështetjen e zhvillimit të Policisë së Shtetit dhe reformimit të saj.
Prezenca e OSBE-së prezanton Vlerësimin Bazë për Inspektimin, Hetimin dhe Ndëshkimin e Kundërvajtjeve dhe Krimeve Mjedisore në Shqipëri
Publishing date: 26 qershor 2023
Content type: News
Më 26 qershor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një seminar prezantues të gjetjeve të Vlerësimit Bazë për Inspektimin, Hetimin dhe Ndëshkimin e Kundërvajtjeve dhe Krimeve Mjedisore në Shqipëri. Vlerësimi bazë rreth qeverisjes mjedisore, i cili merr në konsideratë analizën e kornizës ligjore, kapaciteteve institucionale dhe ekspertizës teknike, u porosit nga Prezenca dhe realizua gjatë periudhës periudhës tetor 2022 – janar 2023. Vlerësimi u realizua në bashkëpunimin të ngushtë me institucionet kombëtare, duke përfshirë në këtë proces agjencitë ligjzbatuese e menaxhuese, policinë, prokurorinë, shoqërinë civile, median dhe botën akademike. Falë Vlerësimit u identifikuan 26 rekomandime praktike, të cilat do të mbështesin autoritetet kombëtare në hartimin apo rishikimin e politikave, ligjeve, apo kornizës institucionale mjedisore, me qëllim fuqizimin e mëtejshëm të zbatimit të legjislacionit mjedisor, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe luftimit të kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore. Në seminarin prezantues, përfaqësues të institucioneve kombëtare përgjegjëse për inspektimin mjedisor, zbatimin e ligjit dhe ndjekjen penale, diskutuan rreth gjetjeve dhe rekomandimet të Vlerësimit, të parashtruara si mundësi për të forcuar qeverisjen dhe sigurinë mjedisore në Shqipëri. Përveç kësaj, gjatë takimit u hulumtuan hapësirat dhe mjetet e mundshme për adresimin konkret të rekomandimeve dhe masave të identifikuara. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bruce Berton, theksoi se, “OSBE-ja beson fuqimisht se ky projekt do të mbështesë autoritetet për të adresuar në mënyrë adekuate mangësitë ekzistuese në aspektin e kornizës ligjore, kapaciteteve dhe bashkëpunimit përgjatë zinxhirit institucional që merret me shkeljet mjedisore. Vlerësimi bazë do të shërbejë si një udhëzues për punën tonë të përbashkët për të përmirësuar më tej qeverisjen sigurinë dhe mjedisore”. Zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla, nënvizoi rëndësinë e dispozitave të kodit penal për ndëshkimin e duhur të shkeljeve mjedisore. Gjithashtu, Xhembulla theksoi progresin e autoriteteve për sa i përket rishikimit të legjislacionit dhe kapaciteteve të zhvilluara gjatë viteve të fundit duke vlerësuar mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për këtë qëllim. Ndërsa, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Asistencës, Policia e Shtetit dhe Ambasadat e Italisë dhe Francës në Shqipëri, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional si një reagim efikas ndaj shkeljeve mjedisore. Vlerësimi bazë u hartua në kuadrin e një projekti të Prezencës së OSBE-së rreth qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri, të financuar nga qeveritë e Norvegjisë, Francës dhe Italisë. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të bashkëpunojë dhe të mbështesë autoritetet kombëtare për të forcuar qeverisjen mjedisore dhe sigurinë në Shqipëri, duke i adresuar rekomandimet dhe masat e identifikuara përmes vlerësimit bazë. Teksti i plotë i vlerësimit bazë mund të gjendet në seksionin e publikimeve të faqes së internetit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri: https://www.osce.org/sq/presence-in-albania/546518
Konferenca rajonale “Parlamentet avancojnë barazinë gjinore”, e mbështetur nga Misioni i OSBE-së, mbahet në Shkup
Publishing date: 23 qershor 2023
Përtej shifrave për barazinë gjinore në parlament. Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorja Kilian Wahl dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi hapën konferencën rajonale “Parlamentet avancojnë barazinë gjinore”, me rastin e 20 vjetorit të Klubit të Deputeteve. Konferenca mbledh përfaqësues të parlamenteve dhe të operacioneve në terren të OSBE-së nga Evropa Juglindore, së bashku me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, organizatave joqeveritare dhe ekspertëve të pavarur. Në fjalimin e tij, ambasadori Wahl theksoi nevojën e angazhimit të deputetëve meshkuj për integrimin gjinor dhe tejkalimin e përqindjeve në përpjekjet për avancimin e barazisë gjinore. “Ne e dimë nga kërkimet dhe studimet se vendet me barazi më të lartë gjinore janë më të suksesshme. Më të begata. Më inovative. Më të sigurta. Vendet me barazi më të lartë gjinore gëzojnë një standard shumë më të lartë jetese dhe ofrojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë. “Bëhet fjalë për njerëzit”, që siç e dini, është motoja e Kryesisë së Maqedonisë së Veriut,” tha ambasadori Wahl. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi deklaroi se nevojitet promovim të mëtejshëm të diversitetit në punë dhe në ligjet e miratuara nga Kuvendi. “Rritja e mbështetjes së kolegëve deputetë për çështjet e gjinisë dhe diversitetit është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme. Duke bërë këtë, nuk kam parasysh vetëm një rritje numerike, por një kontribut cilësor dhe një angazhim konkret për të pasur një parlament vërtet modern dhe të ndjeshëm ndaj gjinisë sipas përcaktimit të Unionit Ndërparlamentar”, tha Xhaferi. “Barazia gjinore është një parametër i rëndësishëm për demokracinë e përgjithshme të një shoqërie dhe performancën e saj në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në tërësi. E gjithë kjo nënkupton ndërgjegjësimin për nevojën e përfshirjes dhe pjesëmarrjes më të madhe të grave në të gjitha proceset dhe në çdo sferë shoqërore, që rezulton me përfaqësim më të madh në çdo segment,” tha zëvendësministrja e Jashtme Fatmire Isaki në fjalën e saj. Operacionet në terren të OSBE-së në rajon tradicionalisht mbështesin organizimin e konferencave rajonale të grave deputete. Partneriteti ndërmjet Misionit dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht Klubit të Deputeteve, çoi në iniciativa të ndryshme të suksesshme në periudhën e kaluar, përfshirë miratimin e planeve shumëvjeçare të veprimit gjinor të Kuvendit.
Prezenca e OSBE-së dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve forcojnë kapacitetet e zyrtarëve shqiptarë për regjimin e posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë
Publishing date: 16 qershor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Nga 12 deri më 16 qershor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, organizoi një trajnim për 25 punonjës të regjimit të posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Regjimi i posaçëm – i cili filloi të zbatohet në Shqipëri më 2020, mbështetur në modelin italian 41-bis – vendos një sërë kufizimesh mbi të burgosurit, të cilat, nëse zbatohen në mënyrë të papërshtatshme, mund të çojnë në shkelje të të drejtave të njeriut. Trajnimi i njohu pjesëmarrësit me konceptet, mjetet dhe aftësitë për të trajtuar të dënuarit me rrezikshmëri të lartë në regjimin e posaçëm. Ai u përqendrua te specializimi i stafit të burgjeve si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në trajtimin e të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. “Ky trajnim shumë i vlefshëm ka si qëllimi që regjimi i posaçëm të jetë funksional në parandalimin efektiv të rrjeteve të krimit të organizuar brenda sistemit të burgjeve dhe të minimizojë mundësinë e orkestrimit të aktiviteteve kriminale nga prapa hekurave. Ai është pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të luftuar krimin e organizuar dhe për të ruajtur sigurinë publike. Një falënderim i veçantë shkon për Prezencën e OSBE-së, si një ndër mbështetësit kryesorë të përpjekjeve për reformimin e sistemit të burgjeve”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija. Në hapje të trajnimit folën dhe Drejtori i Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta dhe drejtuesi i Departamentit të Ligjit dhe të të Drejtave të Njeriut në Prezencën e OSBE-së, Cailean Maclean. Gjeneral Brigade Mauro D’Amico – ish-Drejtor i Grupit Operativ të Lëvizshëm të Policisë italiane të Burgjeve, me përvojë të gjerë në regjimin 41-bis – dha kontributin e tij të çmuar në trajnim. Paralelisht, më 15 qershor, Prezenca dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizuan edhe një tryezë konsultative për regjimin e posaçëm dhe sfidat e tij, ku morën pjesë rreth 30 gjyqtarë, prokurorë dhe personel drejtues i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ i Shtetit, Policia e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e të tjerë. Më herët gjatë këtij muaji, Prezenca përfundoi hartimin e një kurrikule trajnimi për stafin e regjimit të posaçëm në burgje, i cili do të përfshihet në kurrikulën e formimit profesional të stafit të burgjeve nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Këto veprimtari janë vijimësi e mbështetjes së Prezencës për reformën e burgjeve në Shqipëri, përgjatë viteve dhe të përfshirjes aktive të saj në promovimin e të drejtave të njeriut të personave të dënuar dhe të paraburgosur. Së fundmi, në dhjetor 2022, Prezenca organizoi një vizitë studimore të zyrtarëve shqiptarë në mjediset e regjimit 41-bis në Itali. Përveç regjimit të posaçëm, Prezenca ka kontribuar në arritjet në sistemin penitenciar duke ofruar mbështetje legjislative për paketën ligjore për sistemin penitenciar; duke punuar për Parandalimin dhe Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që çojnë në Terrorizëm në burgje dhe në shërbimin e provës; si edhe duke krijuar programin Master në Kriminologji në Universitetin e Tiranës. Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështesë reformën në sistemin penitenciar në Shqipëri.
Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ministria e Punëve të Brendshme shpalosin objektin e renovuar të Njësisë së Policisë K9
Publishing date: 14 qershor 2023
SHKUP, 14 qershor 2023 — Misioni i OSBE-së në Shkup shpalosi sot në Hipodrom, në periferi të Shkupit, një ndërtesë administrative të rinovuar për Njësinë Policore të Qenve (K9) të Maqedonisë së Veriut. Misioni ndihmoi në pajisjen e ndërtesës me infrastrukturë moderne të mbikëqyrjes së teknologjisë informatike dhe ofroi sisteme të sigurta të kontrollit të qasjes n në objektin e ruajtjes së armëve për personelin e autorizuar. Këto përpjekje ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të punës për oficerët e policisë, duke i bërë ata më të pajisur për t'iu përgjigjur kërcënimeve të shfaqura, si dhe për të siguruar vendosjen efikase të qenve të shërbimit policor.
Vlerësimi i rrezikut të korrupsionit nxjerr në pah sfidat, mundëson reformën në sistemin e drejtësisë
Publishing date: 13 qershor 2023
Rrëfimet dhe përvojat e dorës së parë të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë në qendër të Vlerësimit të rreziqeve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, i përgatitur nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ky Vlerësim, i publikuar sot me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, hedh dritë mbi rreziqet dhe dobësitë që pengojnë dhënien e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Vlerësimi shqyrton rreziqet e jashtme dhe të brendshme të korrupsionit, të cilat përbëjnë kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit dhe autonominë e prokurorisë. Publikimi u përgatit në bashkëpunim me Shoqatën e Gjyqtarëve dhe Shoqatën e Prokurorëve Publikë, të cilët ndihmuan që gati gjysma e anëtarëve të tyre të merrnin pjesë në procesin e vlerësimit. "Përmes zërave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe përvojave të tyre personale, ky vlerësim sfidon status quo-në. Ai nuk është thjesht një dokument- ai është një katalizator për ndryshim. Është një thirrje për veprim, duke na nxitur të përpiqemi për një gjyqësor që mbështet parimet e drejtësisë, pavarësisë dhe llogaridhënies. Është detyra jonë kolektive të sigurojmë që institucionet publike të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe të forcojnë shtyllat e demokracisë dhe sundimit të ligjit," tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl në promovimin e këtij publikimi. "Akuzat për korrupsion janë të shumta. Anekdotat e ndikimit të padrejtë në sektorin e drejtësisë janë reale dhe të shumta. Kjo nuk është koha për "biznes si zakonisht"; kjo është një kohë për hapa dhe veprime të guximshme. Për të drejtuar më së miri burimet kolektive, le të shohim se çfarë na thonë të dhënat dhe le të punojmë së bashku për të luftuar korrupsionin që ekziston, si dhe për të eliminuar rreziqet që ai paraqet në gjyqësor," tha Eric Meyer, zëvendës Shefi i Misionit në Ambasadën amerikane në Shkup. Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, tha se të gjeturat e Vlerësimit do të përcillen me rekomandime konkrete të politikave për të shoqëruar dokumentet kryesore strategjike të vendit lidhur me gjyqësorin. Ajo u bëri thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve që t'i përdorin këto gjetje për të përmirësuar integritetin e institucioneve të tyre përkatëse. "Bashkëpunimi me Misionin e OSBE-së në Shkup prej vitesh rezultoi në aktivitete të shumta, me shumë dokumente të përpiluara, hulumtime dhe rekomandime, që synonin përmirësimin e gjendjes në sistemin e drejtësisë. Vlerësimi është pjesë e këtij bashkëpunimi dhe shpresoj se do të kontribuojë ndjeshëm në zbatimin e mekanizmave ligjorë për një gjyqësor të pavarur, të përgjegjshëm dhe të hapur, si parakusht për ngritjen e besimit të publikut," tha gjyqtari Xhemali Saiti, kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Maqedonisë së Veriut. Elvin Veli, kryetar i Shoqatës së Prokurorëve Publikë, tha se integriteti personal i prokurorëve publikë është mjeti më i rëndësishëm për heqjen e çdo ndikimi në procedurë. "Të gjitha institucionet gjyqësore janë të ndërlidhura dhe rezultate efikase mund të arrihen vetëm nëse secili prej nesh investon personalisht dhe bën përpjekje maksimale për të ngritur standardet dhe etikën gjatë procesimit të rasteve," shtoi ai.