Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi edicionin e katërt të programit ‘Media Fellowship’ për gazetarë të rinj
Publishing date: 20 qershor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Liria dhe zhvillimi i medias
Misioni i OSBE-së në Kosovë mbajti edicionin e katërt të programit për gazetarë të rinj ‘Media Fellowship,’ nismë kjo vjetore që synon t’i zhvillojë gazetarët e rinj dhe të krijojë një rrjet bashkëpunëtorësh nga komunitete të ndryshme.
Prezenca e OSBE-së prezanton projektin për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta në Shqipëri
Publishing date: 9 qershor 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, prezantoi sot një projekt trevjeçar, i cili synon të ndihmojë autoritetet kombëtare në uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe të shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. Projekti është pjesë e një projekti rajonal, i cili bashkërendohet nga Qendra e OSBE-së për Parandalimin e Konflikteve dhe zbatohet nga misionet e OSBE-së në Ballkanin Perëndimor, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës. Bazuar në fushat me përparësi të identifikuara nga Ministria e Brendshme dhe nga Policia e Shtetit, projekti do të mbështetë përshtatjen e kornizës ligjore për çaktivizimin e armëve të zjarrit, forcimin e kapaciteteve të Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik lidhur me rreziqet e shpërdorimit dhe përhapjes të armëve të vogla e të lehta. “Fakti që sot jemi të gjithë këtu flet për ndërgjegjësimin tonë të përbashkët për kërcënimet dhe sfidat që kemi përpara. Po flasim për një kërcënim që përshkon nga terrorizmi te krimi i organizuar ndërkombëtar. Një kërcënim që minon besimin e komunitetit dhe kohezionin social duke nxitur dhunën e bandave dhe krimin e dhunshëm, të cilat janë edhe më të dëmshme për besimin aq të nevojshëm të të rinjve dhe të brezave të rinj tek institucionet dhe komunitetet e tyre”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, në hapje të veprimtarisë. “Besoj fort që zbatimi i këtij projekti mes Ministrisë së Brendshme dhe Prezencës së OSCE në Shqipëri do të arrijë të përmbushë objektivat e dakordësuara bashkërisht, për t’u ndjekur nga gurë të tjerë kilometrikë bashkëpunimi në të ardhmen, në fushën e sigurisë dhe më gjerë,” tha zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Në fjalën e saj, Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, tha se Shqipëria mbetet patundshmërisht e përkushtuar për të përmbushur angazhimin e saj për zbatimin e standardeve ndërkombëtare lidhur me luftën kundër armëve të vogla e të lehta dhe municioneve. “Ne e mirëpresim mbështetjen e OSBE-së në zbatimin e këtij projekti dhe jemi të bindur që do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit në këtë drejtim”, shtoi ajo. Në veprimtari, folën edhe ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, ambasadorja e Francës, Elisabeth Barsacq, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Jonas Paul, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, si edhe Slobodan Boskovic, oficer projekti në Njësinë Mbështetëse të Forumit të OSBE-së për Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë. Projekti kontribuon në përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për përmbushjen e qëllimeve kryesore të Udhërrëfyesit për Armët e Vogla e të Lehta dhe Municionet dhe për të krijuar një zgjidhje të qëndrueshme ndaj armëmbajtjes së paligjshme, keqpërdorimit dhe trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse. Përmes këtij projekti, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri kontribuon, gjithashtu, në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, që kanë të bëjnë me eliminimin e të gjitha formave të dhunës kundër grave dhe vajzave, uljen e përhapjes së paligjshme të armëve, dhe forcimin e institucioneve kombëtare për parandalimin e dhunës dhe luftës kundër terrorizmit dhe krimit.
Misioni i OSBE-së në Kosovë zgjeron edukimin për të drejtat e njeriut duke formuar Grupin e trajnuesve
Publishing date: 3 qershor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Rinia
Misioni i OSBE-së në Kosovë po mbështetë edukimin për të drejtat e njeriut përmes trajnimit të ca prej të rinjve të shumtë që kanë përfituar nga programet e mëparshme të Misionit. Ky hap shënon një lëvizje nga praktika e deritanishme e mbajtjes së trajnimeve nga ana e OSBE-së tek një grup të rejash dhe të rinjsh të talentuar të cilët do ta përdorin ekspertizën e tyre në edukimin për të drejtat e njeriut për planifikim dhe realizim të aktiviteteve të propozuara nga Misioni dhe partnerë të tjerë institucionalë.
Prezenca e OSBE-së zhvillon takimin “Të rinjtë flasin” mbi zhdukjet me forcë gjatë regjimin komunist në Shqipëri dhe rolin e të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore
Publishing date: 27 maj 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Rinia, Sundimi i ligjit
Rreth 80 studentë të Universitetit të Korçës morën pjesë në një takim “Të rinjtë flasin”, të fokusuar në çështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, më 26 maj 2022. Veprimtaria, e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe nga Grupi Këshillimor Rinor i saj – kishte për qëllim rritjen e përfshirjes së të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore në rrugën drejt pajtimit me të kaluarën, konsolidimit demokratik dhe ndërtimit të paqes. Pas shfaqjes së një dokumentari për personat e zhdukur, studiues të kontraktuar nga Prezenca i njohën studentët me gjetjet e tyre në këtë fushë, me fokus të veçantë te gratë e zhdukura, aspektet ligjore dhe sociologjike të persekutimit politik dhe standardet ndërkombëtare. Grupi Këshillues Rinor foli për rolin e të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore dhe drejtoi diskutimet me studentët. Gjatë takimit, u diskutua në detaje shkeljet e rënda sistematike të të drejtave të njeriut gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, që çuan në mbi 6 000 persona të zhdukur. Të rinjtë mësuan se si qytetarët burgoseshin apo ekzekutoheshin pa një proces gjyqësor, se si një numër personash të burgosur humbën jetën për shkak të rraskapitjes, kequshqyerjes dhe sëmundjeve, e se si shumë fëmijë të lindur në kampet e punës së detyruar nuk u regjistruan kurrë dhe nuk mundën të mbijetonin në ato vende. Gjithashtu, ata u ndalën edhe në historitë e viktimave që humbën jetën në përpjekje për t'i shpëtuar regjimit duke u larguar nga vendi dhe që u ekzekutuan në pikat e kalimeve kufitare; të burgosurit që u ekzekutuan gjatë përpjekjes për të ikur nga vendet e paraburgimit; dhe individët e zhdukur gjatë shërbimit ushtarak. “Kërkimi dhe gjetja e personave të zhdukur është detyrim i një shteti sipas kuadrit ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar. Që nga fillimet e konsolidimit të saj demokratik në vitet ‘90, Shqipëria ka bërë përpjekje të vijueshme për t'u marrë me të kaluarën e saj dhe fatin e të zhdukurve. Megjithatë, mbetet shumë për t’u bërë,” tha Cailean Maclean, Shef i Departamentit të Prezencës për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut. Ky ishte forumi i dytë rinor për çështjen e personave të zhdukur që Prezenca organizoi këtë vit. I pari u zhvillua me studentë të Universitetit të Tiranës, në muajin shkurt. Prezenca njeh rolin e brezave të rinj në formësimin e së ardhmes demokratike të vendit dhe punon për t'i bashkuar ata për të eksploruar çështjen e personave të zhdukur, rolin e të rinjve në drejtësinë tranzitore dhe në implikimet që ajo ka në diskursin publik mbi të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe axhendën për Rininë, Paqen dhe Sigurinë në vend. Veprimtaria është pjesë e projektit të Prezencës “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri” dhe i projektit “Të rinjtë në fokus II”, që financohet nga Agjencia Austriake e Zhvillimit, Ambasada Greke në Tiranë dhe Misioni i Përhershëm i Italisë në OSBE.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet Byronë Kombëtare të Hetimit për fuqizimin e kapaciteteve hetimore
Publishing date: 24 maj 2022
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 24 maj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbylli një program trajnimi tre-ditor për 16 hetues të porsapërzgjedhur të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut. Programi i trajnimeve kishte për synim forcimin e kapaciteteve të përgjithshme të BKH-së së porsathemeluar për të kryer hetime penale kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe grupeve të kriminalitetit të organizuar transnacional. Trajnimi u përqendrua në tema të tilla, sikurse teknikat speciale për hetimin e grupeve të krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit dhe ligjshmëria e përpunimit të të dhënave personale. Modulet e trajnimit u zhvilluan në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Shqipëri, Policinë Federale Kriminale Austriake dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Duke folur në lidhje me trajnimin, Drejtoresha e BKH-së, Aida Hajnaj, vlerësoi përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të kësaj agjencie ligjzbatuese. “Procesi i trajnimit të hetuesve është i një rëndësie dhe fokusi të veçantë, pasi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale të hetuesve dhe rezultatet konkrete të punës së tyre në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Inkurajojmë dhe mirëpresim zhvillimin e sa më shumë aktiviteteve të tilla në të ardhmen, si dëshmia më e mirë e partneritetit mes nesh”, tha ajo. Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të mbështetjes së përbashkët, me përfshirjen e disa prej departamenteve të saj, që Prezenca e OSBE-së ofron në përkrahje të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal. Në përputhje me mandatin e saj në ndihmë të agjencive ligjzbatuese shqiptare për ngritjen e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit dhe mbështetjen e zhvillimit dhe reformave në polici, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë ta mbështesë ngritjen dhe funksionimin efikas të BKH-së, në bashkëpunim me Programin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ICITAP dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
OSBE, ODIHR promovojnë qeverisjen e përgjegjshme gjinore dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje në komuna
Publishing date: 13 maj 2022
Më 10 dhe 11 maj 2022, në bashkëpunim me Zyrën për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbajtur një punëtori dyditore me temë qeverisjen e përgjegjshme gjinore dhe rolin e grave në proceset e vendimmarrjes në nivel komunal. Punëtoria mblodhi gra të zgjedhura si dhe të emëruara rishtas në pozita të pushtetit lokal, dhe u fokusua në atë se si gratë në pozita vendimmarrëse mund ta përdorin autoritetin e tyre për ta avancuar barazinë gjinore në komunitetet e tyre. Gjatë punëtorisë u prezantuan mjete konkrete dhe modele të praktikave më të mira për kontekstualizim të mëtejmë të diskutimit, si ilustrime të mënyrave në të cilat buxhetimi i përgjegjshëm gjinor mund të përdoret për të ndërtuar praktika të qeverisjes komunale më gjithëpërfshirëse dhe më të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore. Në fjalën e tij, zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së Kilian Wahl tha se ka dëshmi të qarta se qeverisja e përgjegjshme gjinore është më efektive dhe se shpie përfundimisht në vendime më të mira dhe komuna më të suksesshme. Z. Wahl u zotua se Misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë së mbështeturi zyrtaret dhe zyrtarët e komunave në avancimin e mëtejmë të shkathtësive dhe kapaciteteve të tyre në këtë fushë. “Gjatë punëtorisë na u konfirmua se përdorimi i mjeteve dhe mekanizmave të barazisë gjinore është thelbësor për të pasur qeverisje më efektive dhe më të përgjegjshme ndaj çështjeve gjinore, si për shembull përmes hartimit dhe zbatimit të planeve komunale të veprimit gjinor dhe buxhetimit gjinor” tha Marqe Selmanaj, nënkryetare e Komunës së Klinës. Diskutimet nxorën në pah sfidat me të cilat përballen gratë në punën e tyre të përditshme, si mungesa e besimit të eprorëve për t’iu dhënë grave vendimmarrëse përgjegjësi domethënëse apo mundësi për zhvillim të mëtejmë dhe mungesa e solidaritetit ndërmjet grave, me ç’ rast pjesëmarrëset vunë në dukje se uniteti më i madh ndërmjet zyrtareve nëpër komuna mund të çojë në ndryshime pozitive. “Përfshirja e zërave të grave në politika dhe planifikim kontribuon në ndërtimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe u mundëson që të gjithëve të zhvillohen në mënyrë të barabartë, ngaqë politikat e ndjeshme ndaj çështjeve gjinore janë në dobi si të grave ashtu edhe burrave duke krijuar një potencial transformues ku perceptimet, praktikat dhe vlerat zhvillohen për t'i shërbyer mirëqenies së komuniteteve lokale,” tha Dr. Yulia Netesova, shefe e Njësisë për Qeverisje Demokratike dhe Gjinore në kuadër të ODIHR.
Misioni i OSBE-së përmbyllë programin e trajnimit fillestar për anëtarët e rinj të kuvendeve të komunave të Kosovës
Publishing date: 6 maj 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Demokratizimi, Zgjedhjet, Mirëqeverisja
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përmbyllur serinë prej 23 punëtorish për anëtarët e kuvendeve të komunave të zgjedhur për herë të parë në zgjedhjet lokale të tetorit 2021.Trajnimet u përqendruan në rolin e anëtarëve të kuvendeve në përfaqësimin e interesave të elektorateve të tyre përkatëse dhe avancimin e funksionimit të kuvendeve të komunës pjesë e së cilave janë.