Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Misioni i OSBE-së dhe Zyra për Qeverisje të Mirë lansojnë Strategjinë e re për avancimin e të drejtave të komunitetit rom dhe ashkali në Kosovë
Publishing date: 20 shtator 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Roma dhe Sinti
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbështetur Zyrën për Qeverisje të Mirë në prezantimin e Strategjisë së re për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali më 19 shtator 2022. Strategjia 2022-2026 fokusohet në pesë fusha prioritare: arsimi, punësimi dhe mirëqenia sociale, shëndetësia, banimi dhe diskriminimi. Kjo strategji ofron mundësi të re për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve rom dhe ashkali në Kosovë, si dhe për të siguruar trajtim të barabartë pa diskriminim. “Kjo Strategji dhe Plani përcjellës i Veprimit 2022-2024 tregojnë përkushtimin e fuqishëm të qeverisë për të përmirësuar jetën e komuniteteve të cenueshme në shoqërinë kosovare”, tha ambasadori Michael Davenport në ceremoninë e prezantimit. “Strategjia është dokument udhëzues, që do të ndihmojë jo vetëm qeverinë, por edhe komunat, organizatat e shoqërisë civile dhe mediet të luajnë rolin e tyre në avancimin e të drejtave të komuniteteve, luftimin e diskriminimit dhe krijimin e mundësive, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë. Të gjithë mund të luajnë rolin e tyre në sigurimin e zbatimit efektiv të saj.” Misioni i OSBE-së në Kosovë ka ofruar ekspertizën e saj edhe në procesin e hartimit, duke u fokusuar në komponentin e nivelit lokal të Strategjisë. Misioni ka mbajtur 25 takime me 30 bashkëbisedues të nivelit komunal nga 20 komuna, 10 punëtori rajonale me 22 komuna, me 114 pjesëmarrës në procesin konsultativ, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të nivelit komunal, liderëve të komuniteteve dhe shoqërisë civile. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.
Misioni i OSBE-së publikon raportin për trajtimin e rasteve të terrorizmit nga gjykatat e Kosovës
Publishing date: 19 shtator 2022
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Countering terrorism
Prishtinë, 19 shtator 2022 – Ndjekja e veprave të terrorizmit është dëshmuar si çështje sfiduese kudo nëpër botë dhe Kosova nuk përbën përjashtim. Megjithatë, institucionet gjyqësore duhet të sigurohen që këto raste t’i gjykojnë drejtë, në mënyrë efektive dhe në respektim të plotë të standardeve të të drejtave të njeriut, kështu konkludon raporti i fundit tematik publikuar sot nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Raporti i titulluar Trajtimi i rasteve të terrorizmit nga sistemi i drejtësisë penale të Kosovës analizon rastet e terrorizmit gjatë periudhës tre vjeçare nga 2018 deri më 2020. Më tutje, raporti identifikon trendet në praktikat e ndjekjes dhe ofron një pasqyrë të progresit në ndjekjen e rasteve të terrorizmit, si dhe nënvizon fushat ku duhet përmirësim. Duke njohur progresin e fundit dhe përkushtimin e lartë të institucioneve dhe praktikuesve ligjorë në Kosovë për të parandaluar dhe ndjekur penalisht terrorizmin, raporti vë në dukje trende pozitive në menaxhimin e rasteve dhe ndjekjen e tyre. Megjithatë, janë identifikuar disa shqetësime në lidhje me ndjekjen e financimit të terrorizmit, cilësinë e aktakuzave dhe vendimeve, si dhe përdorimin e paraburgimit. Raporti përfundon me rekomandime për institucionet kyçe në Kosovë që merren me rastet lidhur me terrorizmin në mënyrë që legjislacioni aktual të jetë në përputhje me standardet ligjore të BE-së dhe ato ndërkombëtare, dhe me qëllim të forcimit të kapacitetit të të gjithë sistemit të drejtësisë dhe akterëve të zbatimit të ligjit për t'iu përgjigjur këtyre rasteve. “Terrorizmi është një kërcënim gjithnjë në zhvillim ndaj sigurisë që kërkon hetim, ndjekje penale dhe gjykim të fuqishëm. Ne duhet të jemi vigjilent në përgjigje ndaj këtyre sfidave, por përgjigja jonë duhet të respektojë edhe të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Shpresoj se ky raport do të shërbej si informacion për punën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve që punojnë në këto raste dhe do t'u mundësojë që të vazhdojnë t'i zhvillojnë kapacitetet e tyre për t'i menaxhuar këto lëndë në standardet më të larta të mundshme. [...] Raporti është një pikënisje dhe me kënaqësi pres mundësi të mëtejshme për të diskutuar rreth gjetjeve. Do të përfundoj duke ritheksuar se Misioni është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në zbatimin e rekomandimeve të Raportit.” Raporti i plotë gjendet në linkun vijues: https://www.osce.org/sq/mission-in-kosovo/526215
Misioni i OSBE-së trajnon Policinë e Kosovës në mbledhjen e informatave dhe inteligjencës përmes përfshirjes së komunitetit
Publishing date: 14 shtator 2022
Misioni i OSBE-së ka përmbyllur një seri punëtorish për të tetë rajonet e Policisë së Kosovës për mënyrat dhe metodat e parandalimit të krimit përmes përfshirjes së komunitetit. Në punëtoritë e mbajtura në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë e Mitrovicë të Jugut nga 1-13 shtator kanë marrë pjesë 120 policë sektori, shumica e tyre njëkohësisht edhe anëtarë të Komiteteve Lokale për Siguri Publike, krahas përfaqësuesve të komunitetit në nivel fshati apo lagjeje. Këto punëtori kanë pasur për qëllim t’i njoftojnë policët e sektorit me detyrat dhe obligimet e tyre sipas Procedurave Standarde të Operimit të Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, hartimin e të cilave e ka përkrahur Misioni i OSBE-së. Pjesëmarrësit u informuan se si funksionon procesi i mbledhjes së informatave të inteligjencës dhe mënyrat e përpunimit të këtyre informatave të marra nga komuniteti. Ky proces mundëson identifikimin e çështjeve në nivel lokal, si dhe zgjidhjen e tyre në mënyrë më proaktive dhe efektive, duke rritur sigurinë e komunitetit. “Komitetet Lokale për Siguri Publike ndihmojnë komunitetin që t’i zgjidh problemet e sigurisë përmes bashkëpunimit dhe partneritetit në nivel lokal. Këto forume janë po ashtu edhe një mekanizëm efektiv që ndihmon përpjekjet për të parandaluar problemet para se ato të ndodhin,” tha Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Komuniteti gjithashtu duhet t’i njohë policët e sektorit të vet dhe qytetaret duhet të dinë kë të kontaktojnë për shqetësimet e tyre. Andaj i mirëpres përpjekjet e policisë për të fituar besimin e tyre,” shtoi ai. Pjesëmarrësit patën rastin të shohin shembuj të dosjeve sektoriale, qe shërbejnë si pikë referimi dhe përmbajnë informata rreth personave dhe objekteve te caktuara në një zonë të caktuar, dhe u aftësuan se si të përpilojnë një për sektorin e tyre, duke përfshirë edhe se çfarë informatash duhet të përzgjidhen. Këto dosje përpilohen dhe janë te qasshme në mënyrë elektronike, duke mundësuar kështu komunikim dhe marrje të shpejtë informacioni përderisa ndodh incidenti në nivel lokal, por edhe për të shërbyer pikë qendrore reference. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe sigurinë publike. Misioni punon me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit për të rritur kapacitetet e tyre në përballje me kërcënimet ndaj sigurisë dhe sigurisë publike nëpërmjet programeve speciale të trajnimit të përshtatura të zhvilluara në bashkëpunim me to.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet mbajtjen e seminarit për shkëmbimin e përvojave të gazetarëve që mbulojnë veprimtarinë parlamentare dhe të ekipit të komunikimit të Kuvendit në Vjenë
Publishing date: 5 shtator 2022
Content type: News
What we do: Demokratizimi, Të drejtat e njeriut, Arsimi, Mirëqeverisja, Liria dhe zhvillimi i medias
Nga data 1 deri më 3 shtator, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështeti organizimin e një seminari për shkëmbimin e përvojave në Vjenë për gazetarët që mbulojnë veprimtarinë parlamentare në Shqipëri. Delegacioni përbëhej prej rreth një duzine gazetarësh nga media të ndryshme në Shqipëri, si dhe prej përfaqësuesve të Shërbimit të Komunikimit dhe Medias të Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë vizitës së shkëmbimit, grupi i profesionistëve të medias pati mundësinë të takohet me Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, përfaqësues të Departamentit të Komunikimit dhe Deskut të Lajmeve të Parlamenti austriak, si dhe mori pjesë në një seminar për shkëmbimin e përvojave me përfaqësues të klubit austriak të shtypit, Presseclub Conkordia. Këto takime qenë një mundësi e mirë për gazetarët shqiptarë që të diskutonin me kolegët austriakë sfidat me të cilat përballen në punën e tyre të përditshme. Po ashtu, patën mundësi që të shkëmbejnë përvoja lidhur me praktikat gazetareske dhe mbulimin e lajmeve nga parlamenti në shpërndarjen e informacionit për publikun. Veç kësaj, ata u njohën me punën e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias, roli i të cilit është që të shërbejë si një forum i paralajmërimit të hershëm për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe për mbështetjen e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së në respektimin e angazhimeve të tyre lidhur me lirinë e shprehjes dhe median e lirë. Takimin e fundit profesionistët e mbajtën me Ambasadoren e Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare me seli në Vjenë. Ambasadorja Eglantina Gjermeni, një ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ndau informacion dhe këndvështrime rreth rolin e Shqipërisë sa i përket çështjeve aktuale të paqes dhe sigurisë, si dhe qëndrimet e vendit në organizatat globale. Këto takime dhe shkëmbimi i pikëpamjeve dhe praktikave më të mira do të ndihmojnë për forcimin e lidhjeve të Shqipërisë me shtypin evropian dhe homologët ndërqeveritar. Nga ana tjetër, kjo përpjekje do të ndihmojë në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies më të madhe të Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet raportimit dhe përpjekjeve të përmirësuara të gazetarëve që mbulojnë punimet e organit legjislativ dhe komisioneve të tij. Kjo veprimtari u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri”, i cili mbështetet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
“Shtigjet Rinore” të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri bashkojnë aktivistë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të përforcuar dialogun mes brezave përmes trashëgimisë kulturore
Publishing date: 31 gusht 2022
Content type: News
Në datat 24-28 gusht 2022, njëzet aktivistë të rinj nga Ballkani Perëndimor u mblodhën në Tiranë dhe udhëtuan drejt Gjirokastrës për të diskutuar, mësuar dhe hulumtuar qasjet lidhur me ndërveprimin social dhe promovimin e demokracisë, paqes dhe sigurisë përmes dialogut mes brezave. Që nga viti 2017, “Shtigjet Rinore” të Prezencës së OSBE-së kanë sjellë së bashku qindra të rinj nga rajoni për të krijuar një platformë të përbashkët për promovimin e vlerave demokratike, bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë. Edicioni i shtatë i “Shtigjeve Rinore” pati në qendër të tij dialogun mes brezave në formimin e ndërveprimeve sociale, promovimin e vlerave demokratike, krijimin e marrëdhënieve të mira dhe kontributin për paqen dhe sigurinë në nivel vendor dhe rajonal. Pjesëmarrësit diskutuan hendekun e komunikimit ndërmjet brezave dhe efektet e tij gjatë punës në grup, si dhe implikimet e përjetuara dhe rezultatet e punës në grup. Diskutimet u moderuan nga ekspertë të fushës dhe pjesëmarrësit u pajisën me njohuri dhe resurse për të reflektuar dhe vepruar në ndërtimin e urave të reja të komunikimit me bazë kulturore. Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit morën pjesë në seminare të ndryshme lidhur me temat e rrëfimit, rolin e gruas dhe dinamikat e pushtetit, si dhe ndërveprimin mes brezave, me qëllim reflektimin dhe nxjerrjen në pah të praktikave të mira, për të kuptuar si duhet ndikimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së komuniteteve, si dhe për rrjedhojë vetë procesin e demokratizimit. Pjesëmarrësit dëgjuan nga familjet vendase për sfidat e ruajtjes së konceptit të vjetër të familjes tradicionale në kontrast me jetën moderne, kontributin e figurave historike për lirinë, si për shembull intelektualja gjirokastrite Musine Kokalari. Ata e bënë këtë përmes fjalëve të njërës prej pasardhësve të saj, si dhe vizituan punishten e një marangozi që demonstroi zanatin e vjetër të punimit të drurit dhe sfidën për ta përcjellë këtë traditë brez pas brezi. “Më lanë shumë mbresa pikturat e arta në tavanet e shtëpive të vjetra gjirokastrite, sepse kur në to bie drita, rrëzëllimi që krijohet na kujtojnë bukurinë e ditës së re që duhet jetuar dhe festuar për të gjithë familjen”, tha një nga të rejat pjesëmarrëse. Një tjetër i ri pjesëmarrës foli për atë se si, “ruajtja e trashëgimisë kulturore fillon nga të kuptuarit e saj, të logjikës pas saj, si dhe të historisë që ajo mishëron”. “Kur të kthehem në shtëpi, do të kem shumë pyetje për t’i bërë gjyshes sime,” tha ai. Gjatë katër ditëve të mbushura me veprimtari, pjesëmarrësit punuan së bashku për të evidentuar elemente të trashëgimisë kulturore, parë këto në këndvështrimin e bashkëpunimit mes brezave, si dhe shqyrtuan mundësitë për ndërveprim ndërmjet brezave në komunitetet e tyre përkatëse. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, të rinjtë pjesëmarrës u takuan, ndër të tjerë, me Ambasadorin e Austrisë në Tiranë Christian Steiner, Sekretarin e Përgjithshëm të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Albert Hani, Nënkryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Esmeralda Llongo, si dhe zyrtarin e Ambasadës Greke në Tiranë, Panagiotis Anagnostoupoulos. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi edicionin e shtatë të “Shtigjeve Rinore” me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, Ambasadave të Greqisë dhe Italisë në Shqipëri, si dhe në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, RYCO-n dhe Misionet e tjera të OSBE-së në rajon.
Misioni i OSBE-së publikon raportin për përfaqësim në mbrojtje dhe sistemin e caktimit sipas detyrës zyrtare në procedurë penale
Publishing date: 11 gusht 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Mirëqeverisja, Sundimi i ligjit
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar sot raportin e fundit tematik me titull: “E drejta e përfaqësimit efektiv në procedurë penale dhe sistemi i caktimit sipas detyrës zyrtare”.
Misioni i OSBE-së prezanton dokumentarë për të drejtat e njeriut në festivalin e filmit “DokuFest” në Kosovë
Publishing date: 10 gusht 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Demokratizimi, Të drejtat e njeriut, Arsimi, Rinia